IMG_9067

Komisioni i Ekonomisë u përfshi nga debate mes deputetëve socialistë Erion Braçe dhe Blendi Klosi, për shkak të një projektligji që propozon zgjatjen e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze me 4 dhe 5 yje deri në fund të vitit 2026.

Aktualisht, ligji parashikon përjashtimin nga tatimi për subjektet që marrin statusin special deri më 31 dhjetor 2024.

Braçe kërkoi transparencë mbi numrin e hoteleve që kanë përfituar nga këto lehtësira fiskale, fitimet e tyre dhe mënyrën si janë përdorur këto përfitime. Ai theksoi se favorizimet fiskale kërkojnë llogaridhënie dhe informacion të detajuar për qytetarët.

Klosi mbrojti projektligjin duke theksuar se përjashtimet fiskale janë pjesë e një strategjie për të tërhequr investitorë të huaj dhe për të zhvilluar turizmin elitar në Shqipëri, duke përmendur standardet ndërkombëtare që këto hotele duhet të plotësojnë. Ai shtoi se i gjithë rajoni ndjek politika të ngjashme për të nxitur sektorin e turizmit.

Debati theksoi nevojën për transparencë në raport me përfitimet dhe efektet e lehtësirave fiskale në ekonomi.