Dëshmia e një vajze, e cila ka rrëfyer detaje nga lëvizja e autorëve, ka ndihmuar për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Nikulaj në Shëngjin.
Vajza ka treguar se fillimisht portugezi, i cili ishte në rolin e ekzekutorit është dërguar në një hotel në zonën e Shëngjinit dhe të nesërmen ka shkuar në Shkodër.
Ajo thekson ndër të tjera se motorin me të cilin u krye vrasja e ka blerë vetë, ndërsa më vonë e ka parë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Karriq.
“Fillimisht portugezi është dërguar në një hotel në zonën e Shëngjinit, shumë pranë “Coralit”. Të nesërmen e kanë çuar në Shkodër. Motorin e kam blerë unë, e kam parë më vonë te magazina e shtëpisë së Edmondit në Kakarriq të Lezhës. Dy numrat me të cilët ka komunikuar Edmond Haxhia, janë regjistruar në emër të një vajze nga fshati Zejmen Lezhë, e cila punon si menaxhere e një lokali në Tiranë. Portugezi përshëndeste gjithmonë banorët e Kakarriqit në gjuhën shqipe, por me Edmondin komunikonte në anglisht. Ribero Saraiva ka hyrë në Shqipëri në orën 19:26 nga Rinasi në datë 14.02.2023, dhe ka dalë në datën 19.04.2023 ora 19:26, nga Pika e Kalimit Kufitar në Kapshticë si këmbësor”, thuhet në deklarimin e vajzës dhënë për hetuesit.
Sipas Klan News, nga ekspertimi i objekteve të sekuestruara në dhomën 302 të një hoteli, ku ka qëndruar Harry Simpson, në automjetin me targa AA837 ZM, të përdorur nga Edmond Haxhia është gjetur një veshje hixhab grash, dhe është përftuar një profil biologjik, i njëjtë me profilin e një çamçakëzi të gjetur në magazinën e Edmond Haxhisë.
Ky profil gjenetik sipas hetuesve i përket shtetasit portugez. Nga filtrat e cigareve të gjetura në dhomën e hotelit ku ka qëndruar Simson, është përftuar profil biologjik i njëjtë me atë të gjetur në dorezat e sekuestruara në bagazhin e mjetit që kishte marrë me qira Edmond Haxhia. Sipas dëshmisë së vajzës, motori është blerë në Tiranë, tek 21 Dhjetori, dhe është blerë me kontratë noteriale.