Shefi i njohur i kuzhinës,Indrit Çela ra pre e dhunimit fizik mbëmjen e së shtunës. Mësohet se një konflikt i 5 muajve më parë bëri që kuzhinieri Indrit Çela, të rrihej brutalisht me shkelma e leva duke u nxjerrë zvarrë nga makina ku ndodhej me gruan e tij.
Mësohet se konflikti ka nisur fillimisht mes kunatit të Çelës dhe vëllezërve Ernest dhe Donald Luka për parakalim të gabuar.
Kunati i kuzhinierit dhe një person tjetër rrahën fillimisht me mjete të forta dy vëllezërit për shkaqe banale, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Çela. Sipas policisë, në këtë sherr Çela nuk ka qenë person kyç, por kunati i tij.
Ditën e rrahjes brutale të Çelës, vëllezërit Luka kanë pasur informacion se ai do të lëvizte, ndërsa e kanë pritur dhe e kanë rrahur.
Mbetet e paqartë pse dy vëllezërit kanë rrahur Çelën pasi ai nuk ka qenë autori kryesor i rrahjes së para pesë muajve. Ernest Luka ka pranuar autorësinë e ngjarjes pas arrestimit. Pritet që të merret në pyetje edhe kuzhinieri.
Kuzhinieri i njohur u dhunua dy ditë më parë në zonën e njohur si Ura e Gjolës në Fushë Krujë. Indrit Çela ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip Smart me targa AA 062 LR, por në një moment i kanë prerë rrugën dhe e kanë nxjerrë zvarrë me dhunë nga 2 vëllezërit, të cilët me grushta dhe me një levë hekuri e kanë dhunuar brutalisht, ndërkohë që në mjet me të ka qenë dhe bashkëshortja e tij. Në momentin që në spital mbërriti Policia, 39-vjeçari deklaroi se në fakt thjesht kishte bërë një aksident me makinë dhe në asnjë moment nuk ka pranuar që të jetë rrahur.