Edhe pak ditë na ndajnë nga koncerti i Maluma në Tiranë. Ylli botëror i muzikës latine do të jetë në mbrëmjen e 14 marsit në Tiranë në kuadër të turit të tij në Europë “Papi Juancho Tour”.
Gjithçka duket gati tashmë për koncertin që do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza”. “Panorama Plus” publikoi ditën e djeshme edhe momente nga puna për skenografinë e këngëtarit që po realizohet në sheshin qëndrorë të kryeqytetit. Organizatorët kanë tashmë gjithçka gati edhe për të pritur publikun, që duket se do të jetë i shumtë.
Ndërkaq kemi mundur të mësojmë edhe disa detaje nga vizita e shpejtë që artisti do të bëjë në vendin tonë. Bëhet me dije se Maluma do të qëndrojë në Tiranë vetëm pak orë. Menjëherë pasi të mbarojë perfomancën e tij, ai do të largohet, duke mos kaluar asnjë natë në Tiranë.
Ndërkohë që në vendet e tjera të Europës, ai ka zgjedhur të kalojë të paktën 1 natë. Nuk dihet ende shuma që ai do të marrë nga ky event, ndonëse në informacionin që jepet për artistin, thuhet se pagesat për të nisin nga 600 mijë dollarë deri në 1.5 milionë dollarë.
Bileta për të ndjekur Malumën live do të kushtojë 6 mijë lekë në rreshtat e parë, dhe 4.500 lekë në rreshtet e mbrapme. Me aq sa kemi mundur të mësojmë, biletat thuajse janë shitur të gjitha që para 2 vitesh, kur koncerti u anulua për shkak të pandemisë. Dhe për ato më të apasionuarat pas tij, do të kenë edhe mundësinë ta takojnë nga afër.
“Meet & Greet” është bileta VIP që iu jep mundësinë të njihni nga afër Malumën dhe të shkrepni edhe një foto me të. Thuajse të gjitha biletat VIP prej 1 mijë dollarësh janë shitur tashmë dhe mes blerësve ka edhe disa personazhe të njohur të shoëbizzit që do të takojnë nga afër këngëtarin. Nëpërmjet një videoje, Maluma ka përshendetur Tiranën dhe të gjithë fansat ku i rikujton të mos mungojnë në koncertin e tij.
“Si jeni njerëz, Tirana, unë jam Maluma baby, mos mungoni më 14 mars në “Papi Juancho Tour”, shihemi atje”- ka thënë ai në videon e publikuar. Juan Luis Londoño Arias, i njohur profesionalisht si Maluma, i lindur më 28 janar 1994, është një këngëtar, kompozitor dhe aktor kolumbian. I lindur dhe i rritur në Medellín , ai zhvilloi një interes për muzikën në moshë të re dhe filloi të regjistronte këngë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.