Adriatik (Andrea) Kalemi sot ndodhet mes përplasjeve, u ruhet plumbave sa në Tiranë e Athinë e as pushimet nuk janë të qeta për të, por zanafilla e të gjitha gjuajtjeve e pritjeve, daton shumë herët…

Adriatik Kalemi lindi në qytetin e vogël të Memaliajt, aty ku njihet si ‘babaxhan’ për banorët e zonës për herët e shumta që u ka zgjatur dorën në vështirësi dhe për bizneset që ka hapur. “SHZA Kalemi”, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar që menaxhohet nga familja Kalemi ka marrë edhe tendera nga Bashkia Memaliaj për shërbimin e pastrimit, grumbullimit dhe transportin e mbeturinave, gjë që tregon se sa lart i ‘zgjatur’ tentakulat ky njeri gradualisht.

Në emrin e Adriatik Kalemit dhe të familjarëve të tij, janë të regjistruara dhjetëra prona të patundshme e një rrjet biznesesh si bar-kafe, restorant, agjensi shit-blerjesh, parkim automjetesh, lavazh, hotele, etj, duke e renditur kështu atë si një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend. Por, emri i është lakuar dhe jo për të ardhurat e fitimet e shumta, por për problemet që nisi në Belgjikë.

Adriatik Kalemi është bërë një emër i njohur për drejtësinë që në vitin 2001, kur u arrestua nga forcat speciale RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge. Në atë kohë, ai akuzohej se në bashkëpunim me vëllnë e tij, Fatmir Kalemi u kishin bërë atentat dhe kishin lënë të vdekur vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça. Ngjarja e rëndë ndodhinë Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Por kjo nuk është ngjarja e vetme në të cilën do të përmendej emri i Adriatik Kalemit.

Në vitin 2017, Adriatik Kalemi ishte titull kryesore në të gjitha mediat vendase kur ashkë me dy persona të tjerë, në gjendje të dehur dhunuan me shufër hekuri një efektiv policie, i cili përfundoi në spital. Me kalimin e viteve, Kalemi e kishte zgjeruar ‘tregtinë’ dhe ishte kthyer në një nga personazhët kyçë të trafikut të drogës mes Shqipërisë e Greqisë. Në këtë rrjet kishte përfshirë dhe nipin e tij, Aleksandër Sadikaj. Por, në këtë fushë, ndryshe nga biznesi, ku konfliktet sqarohen me gota vere, mjeti i komunikimit janë plumbat. Zhdukja e 700 kilogramëve kanabis në Greqi, përçau grupin. Vrasja e parë u raportua në Greqi. Bëhet fjalë për ekzekutimin e dyshes Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organjës. Miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi, vijon ende të jetë i zhdukur pa gjurmë. Dyshohet se edhe ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.

Në Shqipëri kishin nisur negociatat për këtë sasi droge.

Grupi i Kalemit, pjesë e të cilit ishte dhe nipi i tij, Aleksandër Sadikaj, kërkonte llogari nga një biznesmen i lindur në Fier, por që jetonte mes Sarandës e Tiranës, Edmond Papa, pronari i “Blu Sky”, një prej dhjetëra hoteleve që shtrihet në bregun e Jonit.

Mosmarrëveshjet nuk gjetën zgjidhje, por Kalemi kërkonte ‘haraçin’. Kështu, zëri ka mësuar ekskluzivisht se grupi i tij organizoi një takim në hotelin “Blu Sky”, ku dhe vendosi një ‘gjobë’ si ultimatum. Kushti ishte që biznesmeni Papa do t’i dorëzonte grupit xhiron e hotelit, pa afat. Mirëpo, për një njeri që po kapte të 50-at, ky ishte një nënshtrim që s’e pranonte lehtë dhe muskujt e të rinjve të palestruar që tregonin me mburrje jetën luksoze në rrjetet sociale, nuk e stepën.

Zgjidhja ishte eliminimi i Sadikajt…dhe kështu u bë!

Aleksandër Sadikaj, i cili në Greqi përdorte tre gjeneralitete dhe një prej tyre ishte Aleksandër Kalemi, duke marrë edhe mbiemrin e dajës së tij, u vra në mënyrë makabre me lëndë plasëse në makinën e tij, pranë TEG në Tiranë. Pamjet e rënda që u shpërndanë në rrjet, ku Sadikaj shihej teksa transportohej me gjymtyrë të masakruara, ishin një mesazh i fortë për të tjerët.

Papa kishte hyrë në lojë seriozisht!

Mesazhi u mor, por nuk mbeti pa përgjigje…

Disa muaj më pas, biznesmeni Edmond Papa u vra në Tiranë ku kishte ardhur për të qëndruar pranë nënës së tij, e cila ishte e sëmurë.

Qitësit e kishin ndjekur për ta qëlluar me armë zjarri brenda një lokali, vetëm pak metra larg banesës. Fijet u lidhën shpejt me Aleksandër Sadikajn. Kjo pasi familjarët e tij kanë ngritur dyshime se vrasja e 27-vjeçarit ishte organizuar në hotelin e Papës në Sarandë. Megjithatë familja e të ndjerit Sadikaj nuk dukej e ‘kënaqur’ me kaq! Herë pas here, e motra e të riut, Vanesa, mes vajtimeve në rrjete sociale, ka guxuar dhe të flasë me emra. Njëri është biznesmeni nga Saranda që u ekzekutua në Tiranës, Edmond Papa, ndërsa një tjetër person që ka përmendur është Ledian Alushaj (disa herë Vanesa i referohet edhe me mbi emrin Allushaj).

Isha tek burgu kur i gjujti tritol shoku, Alexandër Sadikaj u vra nga shoku i tij i ngushtë Ledian Alushaj nga Mallakastra me vendbanim në Sarandë. Ledion Alushaj kishte vendosur tritol në makinën e Aleksandrit kur Aleksandri ia kishte dhënë makinën e tij me mirëbesim për ti bërë disa servise tek daja i Edmond Papës pra këta të dy në bashkëpunim me vranë Aleksandrin. Mbrapa krahu ndërkohë që hanin e pinin me të, ditën tjetër erdhi në varrim Ledjon Alushaj bashkë me Edmond Papën qëndruan gjithë natën në shtëpinë tonë dhe “bënin sikur qanin”. Ledjon Allushaj ngriti arkivolin e Aleksandrit deri tek varrezat në krahë, ai që e vrau ishte aty, na ngushëllonte edhe qante bashkë me ne. Ja pra kush janë trimat e sotëm ata që kanë dy lekë mendojnë se mund të vrasin edhe të bëjnë gjëra të tmerrshme në tok këta pra janë gangsterat e sotëm që kanë lekë dhe vrasin shokët mbrapa krahëve. Këtë gjë e di gjithë Shqipëria tani më. E di shteti gjithashtu. Ledjon Allushaj fshihej si miush edhe vazhdon vret shokët e tij, ai njeri që vinte në shtëpinë tonë hante dhe pinte me ne. Vëllai im luante me djalin e Ledjon Alushajt e përkëdhelte e puthte ndërkohë që ai kishte vendosur tritolin tek makina e Aleksandrit. Zoti është i madh, u zbulua gjithçka shumë shpejt,“-shkruante në postimin e saj motra e të ndjerit.

Deri më tani në pranga për vrasjen e Papës është vendosur Albano Velo, si dhe është shpallur në kërkim Andreë Bode. Të dy shfaqen në një foto me Kalemin, duke e implikuar qartë këtë të fundit në vrasjen e Edmond Papës.

Historia ka treguar se arrestimi nuk mjafton kurrë për të vendosur në vend drejtësinë. Pushimet e verës që lamë pas, pavarësisht se vendosi t’i kalonte në ishullin grek Paxos, nuk ishin fort relaksuese për Kalemin. Më datë 5 gusht, ai u qëllua të paktën 10 herë në sy të tre fëmijëve dhe bashkëshortes së tij nga një person i maskuar që arriti të largohej pa u vënë re nga askush. Dyshimet binin mbi familjen e Papës.

Kalemi u dërgua në Qendrën Shëndetësore Paxos dhe më pas në Spitalin Universitar të Janinës. Pasi u kurua, u dërgua në burgun grek Koridhalo pasi përballja me autoritetet e vendit fqinj zbuloi se kishte dosje të pambyllura me drejtësinë helene. Burgut i erdhi fundi, por jo sulmeve, pasi në momentin që po bëhej gati të linte qelinë, u sulmua sërish më 15 dhjetor. Në momentin që po mblidhte gjërat e tij në qeli për të fituar lirinë e për tu kthyer në Shqipëri, Kalemit iu bë prita e radhës. Një 28-vjeçar egjiptian, që ishte paguar për ta vrarë, nuk e la të kalonte derën e hekurit. Ai nxorri një thikë dhe e qëlloi në shpatull dhe pasi 51-vjeçari ra në tokë, u largua.

Kalemi është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në Shqipëri.

Zërat flasin për dëme të parikuperueshme në trupin e tij dhe për faktin se breshëria e gushtit e ka gjymtuar, por ende nuk është zbuluar asnjë foto nga gjendja aktuale e Kalemit.

“Luani” është dobësuar, por hakmarrja s’i ndal.

Zamir Kalemi ishte shënjestra e radhës. Mes dhjetëra problemeve, vëllai i Adriatik Kalemit qarkullonte me një mjet tip “Smart” dhe pa asnjë mbrojtje në Tiranë. Zamir Kalemi u ndoq mbrëmjen e 12 janarit dhe autorët kanë nisur të qëllojnë me breshëri, sapo makina e tyre “Nissan” me targa të vjedhura në 2018-ën në Tiranë, ishte paralel me atë të 35-vjeçarit, në një distancë të ngushtë në rrethrrotulimin e Selitës.

Ai i mbijetoi atentatit dhe mori vetëm një plumb në këmbë, për të cilin po rikuperohet në spitalin e Traumës. Por, për autorët nuk ka ditur të thotë asgjë. 35-vjeçari, siç raporuan mediat më herët, ka zbërthyer të gjitha lëvizjet që ka bërë ditët e fundit dhe personat me të cilët është takuar, por, autorët ka thënë se nuk i ka parë pasi ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të të shtënave.

“Në momentin që ka ndodhur ngjarja unë kam qenë duke u kthyer për në banesën time pasi konsumova një kafe. Unë nuk arrita të shikoj autorët dhe për shkak të të shtënave kam humbur kontrollin e makinës. Konflikte nuk kam me askënd,”- ka thënë Kalemi para autoriteteve.

Nga ana tjetër, Policia ka ofruar 15 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që jep informacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit.

E ndoshta kjo shifër i takon familjes Kalemi, pasi kronologjia e ngjarjeve na ka bërë tëkuptojmë se armiqtë janë të vetmit që e gjejnë njëri-tjetrin gjallë, ndërsa policia mbledh gëzhojat.