Sot në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese u diskutua për ndryshim të Kodit Rrugor. Gjatë diskutimeve nga mazhoranca u propozua që të ndryshohet limiti i shpejtësisë së automjeteve brenda në qytete dhe në autostradë.

Konkretisht u propozua që në qytete të bëhet ndryshimi nga 40 km në orë në 30 km në orë dhe në autostrada propozohet që shpejtësia maksimale të bëhet 130 km në orë nga 110 km në orë.

Nisma për të ndërhyrë në Kodin Rrugor është e konsultuar me autoritetet gjermane dhe italiane, me synim uljen e ngjarjeve rrugore. Parashikohet që në autostradë të rinjtë në timon të mos lëvizin me më shumë se 80 km/h, ndërsa në rrugë interurbane kryesore me jo më shumë se 70 km/h. Po ashtu, është propozuar rritja e moshës për mbajtësit e patentave nga 65 në 70 vjeç, për shkak të mungesës së shoferëve në disa sektorë të caktuar.