
Lideri i opozitës, Sali Berisha konfirmoi sot se ish-presidentit Ilir Meta do të jetë pjesë e listës së sigurt të PD dhe koalicionit të saj në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
“Ilir Meta do të jetë, sot ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i parlamentit, i burgosur politik, do të jetë në lista të sigurta të PD dhe koalicionit, mbi votat dhe rezultatin elektoral të Partisë së Lirisë. Dhe jam i bindur se prania e tij në lista është një nxitje e madhe për të gjithë shqiptarët që besojnë se një Shqipëri e lirë nuk ekziston me të burgosur politikë dhe që vlerësojnë kontributin e tij 30-vjeçar në politikë. Janë të tjerë që po merren me negociata, por unë mund t’u konfirmoj ju se ai do jetë në listë të mbyllur”, tha Berisha.
Ndërkohë, pas zyrtarizimit të koalicionit opozitar, Partia Demokratike është duke punuar ende me aleatët për hartimin e listave të kandidatëve për deputetë.
Deri më tani qartësi ka vetëm Partia e Lirisë, që do të përfitojë katër vende të sigurta në listë.
Ilir Meta do të garojë në Qarkun e Fierit, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho do të kërkojnë votat në Tiranë, ndërsa një vend i sigurt do të rezervohet edhe për Edmond Haxhinaston në Elbasan.
PAA e Agron Dukës do të ketë një mandat të garantuar në Durrës.
Ndërkohë, Mediu, Dule dhe Idrizi janë ende në negociata për të ndarë qarkun ku do të vendosin emrin, ndonëse mandatin do ta kenë të sigurt.
Kreu i republikanëve preferon Tiranën, por mund të kalojë në Vlorë, ku mund të gjejë edhe homologun e PBDNJ. Ndërsa Idrizi kërkon të blindojë Mesila Dodën në Tiranë, ndërsa vetë preferon të garojë në listë të hapur.
Vendimin përfundimtar për listat pritet që ta marrë mbledhja e Kryesisë së PD në 12 mars, ditë kur skadon dhe afati për të depozituar në KQZ kandidatët për deputetë.