Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka zbuluar nëse kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë samitit të Ohrit se do në shtator do të rrëzonte Albin Kurtin nga pushteti.

Ahmeti i ftuar në “Pressing”, ka rrëfyer se diçka e tillë nuk ishte e vërtetë.

“Jo asesi. Kjo ska qenë fare bisedë”,- u shpreh ai.

Më tej Ahmeti tha se me Ramën ka biseduar se si t’u bëhet e ditur autoriteteve në Kosovë se për cfarë është nisur iniciativa e Ballkanit të Hapur. Ahmeti thotë se Kosova nuk humb asgjë nëse i bashkohet Ballkanit të Hapur dhe do të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera.

“Vec Edi Rama ka shprehur shqetësim para meje se si të afrohemi me autoritet në Kosovë që të shpjegojmë gjërat me mirë dhe të kthjellojmë gjërat ma mirë. Jo të imponueshme, por të sqarueshme. Iniciativa nuk është obliguese për palët. Mali i Zi dhe Bosnja ishin si vëzhguese. U nënshkruan marrëveshje me rëndësi. Ndërtimi i Urës së Bunës.

Njohja e diplomave mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë. Nuk është punë e vogël. Sa telashe kemi me shqiptarët e Preshevës të cilët përfundojnë universitetin në Kosovë. Po cka humb Kosova nëse e merr pjesë në iniciativë me flamur të vetin. Merr pjesë si e barabartë. E barabartë në mesin e të barabartëve. I pranon marrëveshjet e leverdishme. Nuk i pranon ato që nuk i konvenojnë. Nuk kam dëgjuar asnjë argument të vlefshëm. Thonë se Serbia do ta dominojë tregun. Por në Serbi janë krejt investime të huaja vëlla. Investimet të huaja gjermane, franceze, turke e kështu me radhë”, tha Ahmeti.