Kryeministri Edi Rama u pyet sot në Prishtinë për raportin me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Në përgjigjen e tij, kryeministri u përgjigj me ironi kur tha se “ju e dini, unë jam ëllai i Vuqiqit”.

Ndërkohë Rama theksoi se sidomos në këtë situatë, duke iu referuar pushtimit rus në Ukrainë, në rajon nuk duhet një Serbi e radikalizuar.

“Për të ardhur tek pro serbizmi im, unë jam vëllau i Vuiqiqit…ju e dini këtë dhe e keni bërë status timin që unë jam vëllau i tij.

Por përtej kësaj, këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar aq më tepër në kontekstin e sotëm.

E na duhet të bëjmë çmos të rrisim të gjitha ato mundësi që e integrojnë këtë pjesë të Evropës që jo pa arsye është më e prapambetura historikisht ë një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror. Unë nuk hyj në administrimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

Ndërkohë për raportet me kryeministrin Albin Kurti, Rama tha se “ne kemi një marrëdhënie të kahershme që është shumë miqësore e do jetë e tillë gjithmonë”.

“Por juve ju duket si shaka por është e vërteta. Ne jemi njerëz me bindje të forta e të gjesh njerëz me bindje të forta e që kanë dakordësi për çdo gjë, do të thotë që o u janë dobësuar bindjet ose si kanë pasur ndonjëherë të forta.

Në këtë pikë ne jemi të qetë dhe këtë e tregon fakti që po të jeni kur ne jemi bashkë e të shikoni volumin e qeshjeve dhe auto ironisë që na bashkon reciprokisht mbase do habiteni e do thoni që ky nuk qenka vëllai i Vuqiqit, ky qenka vëllau i Albinit. Më leni të rri vëllai i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”