Më në fund u konfirmua: Stresi do këndojë në koncertin e Noizyt “Alpha Show”. Dy reperët, rivalë të kaq viteve, do ngjiten për herë të parë në të njëjtën skenë bashkë.
Kjo është konfirmuar nga faqja zyrtare e “Alpha Show” në Instagram ku përmes një videoje zbulohet se Stresi do jetë mes artistëve që do performojnë në 14 gusht.
Në listën që do të përformojnë në koncertin e Noizyt do të jenë artistë si: Kida, MC Kresha, Lyrical Son, Ledri Vula, Elgit Doda, Dhurata Dora, Yll Limani, Gue, Ghali, Sfera Bbasta, Krept, Konan, Loredana.
Rreth një vit më parë Stresi dhe Noizy ‘bënë paqe’ dhe shpejt arritën të bëheshin shokë të ngushtë, si në fillimet e tyre. Jo më larg se pak javë më parë, komentet mes tyre në Instagram bënë xhiron e rrjetit me Stresin që i kërkonte Noizyt një kostum nga koleksioni i ri dhe Noizyn që e konsideroi atë ‘familje’.
Ndonëse, vitet e fundit dy reperët ishin treguar “të butë” ndaj njëri-tjetrit nëpër intervista, askush nuk e priste që ata të bëheshin sërish miq e të linin pas çdo problem që ka ndodhur në të shkuarën. Nëpërmjet dy videove live në llogaritë e tyre në Instagram Noizy dhe Stresi informuan fansat në 2021 se kanë bërë më në fund paqe dhe kanë falur njëri-tjetrin! Fillimisht ata thanë se thjeshtë nuk do merren më me njëri-tjetrit por shumë shpejt gjërat ndryshuan. Prej asaj kohe dy çunat kanë mbështetur projektet e njëri-tjetrit në rrjetet sociale, teksa nuk kanë munguar komentet edhe as takimet.
Fansat e repit në Shqipëri e dinë shumë mirë rivalitetin që ka ekzistuar mes Noizyt dhe Stresit ndër vite dhe fakti që sot flitet për një bashkëpunim mes tyre duket ende i pabesueshëm. Që kur ata rregulluan marrëdhëniet të gjithë ndjekësit kanë patur vetëm një pyetje: A do sjellin ndonjë këngë bashkë?
Gjatë një interviste virtuale me ndjekësit në Instagram, Stresi është pyetur se nëse do të sjellin një bashkëpunim së bashku. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një dueti mes tyre, por duket se ende nuk ka asnjë plan konkret. “Çdo ditë këtë pyetje keni… E rëndësishme është që gëzojmë respekt për njëri-tjetrin dhe jemi bashkë. Për të tjerat vijnë vetë pa plane. Respekt për të gjithë fansat. Vetëm kështu të bashkuar, nuk ka asgjë që na thyen.“- ka shkruar reperi.