Gazeta publikoi dje ekskluzivisht lajmin e një aksioni policor të SPAK, në kuadër të operacionit “Flakë në det” ku u arrestua ‘Baroni i drogës’, Gëzim Çela.
Me urdhër të SPAK, u arrestuan tre persona, konkretisht pas hekurave ranë shtetasit A. D., S. L. dhe K. B.
Operacioni i ndërmarrë vitin e kaluar çoi në pranga dhe një Komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, që dyshohej se shoqëronte të njohurin si baronin e drogës, Gëzim Çela, dhe anëtarë të tjerë të grupit të drogës.
Njoftimi i SPAK:
Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim A. D., S. L. dhe K. B., si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregtare.