Qeveria e Izraelit dhe grupi radikal palestinez Hamas i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar të mërkurën për një ndërprerje katërditore të luftimeve, për të mundësuar lirimin e 50 pengjeve që po mbahen në Gazë, në shkëmbim të lirimit të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjes së ndihmave humanitare në territorin e rrethuar, raporton Reuters.

Zyrtarë nga Katari, që ka ndërmjetësuar negociata sekrete, si dhe nga SHBA-ja, Izraeli e Hamasi, prej ditësh kanë paralajmëruar për arritjen e një marrëveshjeje.

Hamasi besohet se po mban mbi 200 pengje, të cilët i ka marrë kur luftëtarët e tij ia mësynë Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona, sipas autoriteve izraelite.

Një komunikatë e lëshuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen brenda një periudhe katërditore, gjatë së cilës do të ketë ndërprerje të luftimeve.

Për çdo 10 pengje shtesë të liruara, armëpushimi do të zgjatet për një ditë shtesë, ka njoftuar zyra e Netanyahut, pa përmendur lirmin e të burgosurve palestinezë në shkëmbim.

“Qeveria e Izraelit është e vendosur për kthimin e të gjithave pengjeve në shtëpi. Sot, ajo ka aprovuar marrëveshjen e propozuar si fazë të parë drejt arritjes së këtij objektivi”, thuhet në komunikatë, e cila u lëshua disa orë pas diskutimeve prapa dyerve të mbyllura.

Hamasi ka thënë se 50 pengjet do të lirohen në shkëmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë, të cilët mbahen në burgjet izraelite.

Marrëveshja e armëpushimit do të lejojë, po ashtu, hyrjen e qindra kamionëve me ndihma humanitare, ilaçe dhe karburante në Gazë, ka thënë grupi radikal palestinez, përmes një komunikate./REL