
Nga Agim Xhafka
Ka qënë varg i një kënge kolonjare që u pëlqye shumë ato mote. Por dhe sot e kësaj dite.
Nuk e vendosa si titull për të folur mbi poezinë e saj. Them se ato fjalë u shkojnë për shtat partive të reja që janë krijuar para disa vitesh.
Ato janë disa, por pa i permendur them se të gjitha shpejt do të hyjnë te emërtimi “As e vogël, as e madhe”
Dihet që më 11 maj në vendin tonë do të bëhen votimet për të zgjedhur kandidatët e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas ligjit fushata është një mujore, por ajo ka nisur prej kohësh. Veçanërisht ndjehen dy forcat e mëdha. PD dhe PS shfaqen në aktivitete live, si dhe në median kombëtare e lokale. Nuk harrojnë të mos shkulen 24 orë nga rrjetet sociale. Kështu përpiqen dhe partitë e reja. Por deri më sot ato sa nxjerrin pak fytyrën në tv dhe veç sa grihen e zihen me miliatantët e partive të mëdha. Trajtohen si ato mushkonjat që të prishin gjumin dhe qëllohen nga me shpulla deri te shapka.
Gjithsesi situata po agravon në favor të tyre. Nga që PS ka krijuar një mal me dështime e rrena këto 12 vite, nga që nën qeverisjen e saj thuajse gjysma e popullatës ka ikur nga vendi, nga që varfëria është shtuar dhe vendi po shitet copa-copa. Këtë panoramë nuk e zbeh as propaganda e dendur mbuluar me lustër modern, as zallamahia e analistëve patronazhistë që betohen e stërbetohen që Shqipëria ka kap majat e progresit. Qysh tani një pjesë e madhe e votuesve i kanë larë duart nga PS.
E provuan që i mashtroi, i vodhi, i dhunoi. Ndaj nuk ka shans që këto tre muaj atyre t’u kthehet mendja.
Ndërsa PD e gjendur në një skenar likuidimi, me futjen e liderit të saj në arrest, me lobimin e qeverisë për ta bërë non grata të Amerikës, me kufizimin e të drejtave të opozitës, paçka se ajo po bën përpjekje e ka një ristart për t’u admiruar, plot votues kanë mëdyshje që ajo mund të kthehet në qeverisje. Siç ka dhe të tjerë që nuk e japin pëlqimin për të, pra abstenojnë se janë të bindur që Rama nuk bën zgjedhje të lira, i vjedh, i manipulon.
Në këto kushte partitë e vogla do mbledhin shumë vota. Të atyre që janë zhgënjyer nga PS që do jenë më të shumtët.
Por dhe të plot të djathtëve që mendojnë se me këtë PD fitorja është dyshuese. Pra janë krijuar kushte të tilla që ndoshta mijra e mijra shqiptarë në kutitë e votimit, ndërsa betohen për PD e PS votën t’ia japin një partie të vogël.
E dinë që ajo parti me pak deputetë, ose me vetëm një, nuk krijon qeveri. Ama do krijohet situata që pa partitë e vogla ndoshta nuk do të dot bëhet asnjë qeveri. E atëhere ato do e këndojnë bukur e me zë të fortë këngën “As e vogël, as e madhe…”.