Vrasja e biznesmenit Ardjan Nikulaj, ishte parashikuar të realizohej qysh në datën 17 Prill.
Autori ende i paidentifikuar nga policia e Lezhës, është konstatuar përballë kompleksit “Coral” në Shëngjin, pikërisht në 17 Prill, teksa qëndron në pritje për të vepruar, sapo të shikonte siluetën e biznesmenit Nikulaj.
Përmes kamerave të sigurisë policia kriminalë, ka zbuluar se autori ka udhëtuar me të njëjtin motor “Scuter”, tre ditë rresht nga Shkodra në drejtim të Lezhës.
Dy udhëtimet e tij, në datën 17 dhe 18 Prill, me qëllim ekzekutimin e Nikulaj, kanë rezultuar të dështuara, për shkak se vrasësi nuk ka mundur ta gjejë të vetëm biznesmenin dhe të kryejë goditjen e tij.
Ai ka përshkuar sërish rrugën 45 kilometra, dhe në udhëtimin e tij të 3-të, vrasësi ka mbaruar punë, duke ekzekutuar brenda në lokalin e tij, Nikulaj. Që siç shihet edhe në këto pamje të rënda, ai vepron me doreza ndërtimi dhe qëllon plot 7 herë, ku 6 nga plumbat i kanë marrë jetën.
Një anëtar i grupit hetimor tha për “Ora News”, se tashmë është konfirmuar që autori pas kryerjes së krimit është larguar në drejtim të Shkodrës.
Kjo pasi kamerat e fundit që e kanë lokalizuar autorin, është në rrugën nacionale Kakariq të Lezhës dhe në zonën e Bushatit të Shkodrës. Vrasësi ka hyrë në qytetin e Shkodrës, dhe ka pasur të njëjtin motor dhe të njëjtën veshje.
Ndërkohë shumë pikëpyetje janë ngritur për mosreagimin e strukturave të policisë rrugore, pasi autori gjatë intenerarit Shëngjin-Shkodër, ka kaluar tre patrulla të policisë, që ishin të dislokuara në hyrje të Lezhës, në zonën e Fishtës dhe në Bërdicë.
Tashmë policia kriminalë përmes kamerave të qytetit të Shkodrës, po ndjek siluetën e lëvizjes së autorit të vrasjes, me qëllimin e vetëm identifikimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë nga analizimi i pamjeve filmike, anëtarët e grupit të hetimit kanë ngritur dyshime të forta se vrasësi, ka pasur të veshur një jelek antiplumb.
“…frika e një kundërpërgjigje me armë, mund të ketë sjellë veshjen e një jeleku antiplumb. Pasi nëse do shihen me vëmendje pamjet, autori duket më i mbushur (fryrë) në pjesën e trupit, karakteristikë kjo që të lind dyshime për prezencën e një jeleku antiplumb…” – thanë burimet.
Policia kriminale ka verifikuar të dyja anët e rrugës Shëngjin-Lezhë, me shpresën e gjetjes së armës apo qoftë edhe të rrobave, por kjo gjë nuk ka sjellë asnjë rezultat.
Autori është larguar me të njëjtën veshje në drejtim të Shkodrës, dhe tashmë po punohet për zbulimin e destinacionit final. Në vitin 2000 Ardjan Nikulaj alias Marku i është vrarë njëri nga vëllezërit, shtetasi Pëllumb Nikulaj.
Pas kësaj vrasja, ngjarjet rrodhën duke ekzekutuar dy anëtarë të familjes Palaj në Lezhë, ngjarje kjo e cila ende nuk është zbardhur nga policia dhe prokuroria e qytetit.
Ndërsa 23 vite pas vrasjes së Pëllumb Nikulaj, është ekzekutuar me 5 plumba, Ardjan Nikulaj. Ky i fundit njihej në zonën e Lezhës dhe Shëngjinit si biznesmen, politikan dhe zyrtar i administratës lokale në Lezhë.
Ardjan Nikulaj, mbante shoqëri të ngushtë me Aleksandër Dedën që njihet si “Aleksi i Druve”, dhe ka qenë prezent me këtë të fundit në atentatin me armë që ju krye Aleksandrit në Lezhë./OraNews