
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një seri takimesh gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në Gjermani, ku ka marrë pjesë në Kongresin e 37-të të CDU-së në Berlin.
Berisha shkruan në rrjetet sociale se sot është takuar me deputetin gjerman Jürgen Hardt, Zëdhënës për Politikën e Jashtme të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Bordit të EPP-së.
Sakaq, takimi më i rëndësishëm i Berishës ishte ai me kandidatin për kancelar të CDU-së, Frederic Merz.
Gjatë vizitës, Berisha u takua me Kryeministrin e landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Hendrik Wüst, ish-eurodeputetin Elmar Brok dhe deputetin e Bundestagut Gjerman, Volkmar Klein.
Gjithashtu, ai zhvilloi takime me ish-Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe Kryetarin e Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner.
Kujtojmë se për këtë udhëtim në Gjermani Berisha mori leje nga SPAK, në mënyrë që të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme, pas vendosjes së masës ‘detyrim paraqitje’.
Kjo shënon vizitën e parë jashtë Shqipërisë për Berishën që nga heqja e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.