Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të martën se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të bombardimeve pa dallim në Gazë, që kanë vrarë mijëra civilë palestinezë.

“Po fillojnë të humbasin përkrahjen”, tha të martën Presidenti Biden gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh në Uashington. Ai gjithashtu tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të ndryshojë qeverinë e tij të vijës së ashpër.

Presidenti Biden tha se Izraeli nuk mund të kundërshtojë shtetin palestinez në të ardhmen, duke shtuar trysninë ndaj autoriteteve izraelite. Ai përmendi në mënyrë të veçantë politikanin e krahut të djathtë Itamar Ben-Gvir, ministër izraelit i sigurisë kombëtare dhe tha se “kjo është qeveria më konservatore në historinë e Izraelit.”

“Netanyahu duhet ta ndryshojë qeverinë. Kjo qeveri në Izrael po i bën gjërat të vështira”, tha Presidenti Biden. Ai tha se Izraeli “nuk mund t’i thotë jo” një shteti palestinez, gjë që kundërshtohet nga izraelitët e vijës së ashpër.