Një procedurë e çelur këtë të mërkurë në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik me një fond limit 785 milionë lekë apo rreth 7 milionë euro ka në objekt të saj pikërisht këtë synim: “Ndërtim i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)”, objekt multifunksional, ne interes publik, për Shërbimet Qendrore te Transportit Rrugor.
Sipas relacionit arkitektonik që shoqëron projektin e shpallur në faqen e APP lihet të kuptohet që godina e re do të vendoset aty ku sot qëndron godina ekzistuese.
“Zona për të cilën realizohet ky studim, ndodhet rreth 2km larg qendrës së Tiranës, ne ambientet e tanishme te zyrave te DPSHTRR. Zona në studim paraqet interes të veçante pasi ndodhet në një hapësire ne zhvillim miks nga ana funksionale ku kemi praninë e objekteve të banimit dhe hapësirave të tregtimit. Ndërhyrja në zone nuk paraqet zhvillim vetëm për zyrat e vetë institucionit, por gjithashtu sjell zhvillim dhe rijetëzim të hapësirës përreth”, thuhet në dokument.
Objekti ekzistues sipas dokumentit ka pësuar dëmtime dhe degradime të shumta si pasojë e tërmetit dhe mbingarkesës.
Përshkrimi i projektit
Në relacionin që përshkruan anën arkitekturore të projektit dhe që mban logot e DPSHTRR, studios SON dhe Stefano Boeri Architetti shpjegohet se planimetria e objekti ka formën e një katrori me dy bërthama strukturë b/a ku pozicionohet shkalla, ashensori dhe ambientet teknike.
“Kati përdhe i objektit të propozuar përveç recepsionit, hollit dhe disa hapësirave të stafit të mirëmbajtës shërben kryesisht si hapësire ekspozitori “Retro”. Ambientet e tjera si tualete dhe depo pozicionohen në krah të strukturës b/a. Përveç dy shkallëve antizjarr në katin përdhe pozicionohet dhe një tjetër shkallë rrethore e hapur që shërben për të shkuar në katin e parë për qytetarët. Sipërfaqja e katit përdhe është 647 m2.
Kati nëntokë -1 aksesohen nga një rampë e drejtë e jashtme në lindje të objektit. Ky kat akomodon 14 poste parkimi. Në këtë kat ka ambiente për mirëmbajtën dhe dhoma zhveshjeje, gjithashtu ndodhen dhe hapësirat teknike.
Kati nëntoke -2 aksesohen nga një rampe e brendshme. Ky kat akomodon 25 poste parkimi, një hapësirë për larjen e makinave dhe hapësirat teknike te nevojshme.
Kati i parë përfshin kryesisht ambientet për stafin si kafeteri, mensë, salla konferencash, një ambient trajnimi dhe nyjet h/s. Gjithashtu në këtë kat ndodhet arkiva e institucionit dhe zyra e protokollit. Lëvizja në këtë kat, ashtu si dhe katet e tjera organizohet me anë të një korridori rreth një atriumi qendror që del deri në tarracë. Zyrat dhe ambientet e tjera janë të shpërndara rreth atriumit. Lëvizja për në katin e dytë përveç shkallëve antizjarr dhe ashensorit, behet nëpërmjet shkalles me një rampë përgjatë atriumit. Sipërfaqja e katit pare është 885m2.
Kati i dytë, i tretë dhe i katërt i dedikohet zyrave dhe drejtorive të ndryshme që ky institucion mbart. Lëvizja horizontale në këto kate, ashtu si dhe katin e parë organizohet me anë të një korridori rreth atriumit qendror, ndërsa lëvizja vertikale përveç shkallëve antizjarr dhe ashensorit, bëhet nëpërmjet një rampë. Këto kate kanë sipërfaqe të njëjtë 821 m2./Monitor