Mediat sociale nuk janë jeta jonë, por janë bërë një pjesë e madhe e saj. Pra, studimet dhe kërkimet se çfarë saktësisht shkaktojnë te njerëzit janë në rritje. Hulumtimet e reja tregojnë se abstenimi nga mediat sociale edhe për një javë, përmirëson gjendjen shpirtërore dhe shëndetin mendor në përgjithësi, si stresi i lartë ose depresioni.
Universiteti i Bathit i drejtuar nga Dr. Jeff Lambert dhe ekipi i tij publikuan studimin në revistën Cyberpsychology, Behavior and Social Networking, i cili përfshinte 154 njerëz të moshës 18 deri në 72 vjeç që përdornin mediat sociale në baza ditore.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe të rastësishme. I pari vazhdoi të përdorte çdo ditë rrjetet sociale si Facebook, Twitter, Instagram etj., ndërsa i dyti ndaloi gjithsej shtatë ditë, duke pasur kështu mesatarisht 8 deri në 9 orë më shumë në javë. Shëndeti i tyre mendor u vlerësua si në fillim ashtu edhe në fund të hulumtimit.
Dhe ajo që u zbulua ishte se një javë abstenim nga rrjetet sociale, ishte e mjaftueshme për të përmirësuar mirëqenien mendore dhe për të reduktuar simptomat e ankthit dhe depresionit.
Lambert theksoi se “përdorimi i mediave sociale është aq i përhapur sa shumë prej nesh e bëjnë atë pa menduar, që nga momenti kur zgjohemi deri në mbylljen e syve natën. Ne e dimë se për shkak të këtij përdorimi të madh të mediave sociale, janë shprehur shqetësime në rritje për efektet në shëndetin mendor. “Studimi ynë tregoi se shumë pjesëmarrës raportuan përfitime nga një pushim javor nga mediat sociale, duke treguar humor të përmirësuar dhe më pak stres në përgjithësi, që do të thotë se edhe një pushim i shkurtër mund të ketë një efekt pozitiv”.
“Sigurisht,” shtoi ai, “për shumë njerëz, mediat sociale janë një pjesë e jetës së tyre dhe një pjesë integrale e asaj se kush janë dhe si ndërveprojnë me të tjerët.” “Por nëse shpenzoni orë të tëra çdo javë për to dhe ndiheni të ndikuar negativisht, ka vërtet kuptim të ndaloni përdorimin e tyre për të parë nëse kjo ndihmon”.
Hulumtimi sigurisht që do të vazhdojë, me shkencëtarët që duan të shohin nëse përfitimi psikik mund të zgjasë në afat të gjatë nëse abstinenca zgjat edhe më gjatë. Nëse kjo hipotezë vërtetohet, atëherë ajo mund të kthehet në një zgjedhje klinike, terapeutike për profesionistët e shëndetit mendor.