Edhe pse administrata ruse është shprehur në çdo rast se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën, aktiviteti i lartë ushtarak përreth këtij shteti ngre shqetësime. Brenda gjithë këtij tensioni dhe me rreth 170 mijë ushtarë rusë përreth Ukrainës, liderët e këtij vendi, SHBA-ve dhe sidomos Rusisë janë duke ndjekur me vëmendje të madhe motin.
Përgjigja për këdo që çuditet se pse i duhet parashikimi i motit një ushtrie gjigante si ajo e Rusisë për të pushtuar Ukrainën është se kushtet e motit kanë përcaktuar fatin e mjaft betejave në prehistori, por edhe në kohët e moderne.
Thuhet se një ndër shkaqet se përse Hitleri e humbi luftën me Bashkimin Sovjetik është moti i acartë i Rusisë.
Por nëse ushtrive i duhet mot i mirë për të nisur ofensivën e tyre, Putinit i duhet e kundërta. Ushtrisë ruse i nevojitet një mot tepër i ftohtë në mënyrë që toka të ngrijë dhe qindra tanket ruse që gjenden pranë kufirit me Ukrainën të mësyjnë pa patur nevojën për një rrugë. Kjo, pasi në duart e ukrainasve tashmë ndodhën mijëra raketa dhe njësi anti-tank të marra nga Perëndimi, të cilat përbëjnë një rrezik të madh për tanket e Putinit, raporton Gazeta Jonë.
Por, lajmet janë të këqija për këtë të fundit. Parashikohet se moti të jetë i ftohtë, por jo aq sa të ngrijë toka duke e bërë të pamundur tani për tani ofensivën ruse ne Ukrainë.
Madje, me kalimin e ditëve moti pritet të ngrohet dhe bashkë me lagështirën kanë krijuar një det me baltë dhe tokë të butë përreth Kievit, ç’ka e mbron qytetin nga një ofensivë me tanke. /Gazeta Jone