Ditën e djeshme vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’ që tashmë ka goditur pjesën më të madhe të Evropës duke shkaktuar dëme të shumta dhe viktima.

E njëjta situatë me stuhi ere të shoqëruar me rrebeshe shiu dhe shtrëngata pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme sipas njoftimit të dhënë nga SHMU ditën e djeshme.

“Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të europës. Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave”, ka njoftuar dje SHMU.

Ndërkohë temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur 5°C minimalja deri në 20°C maksimalja në rang vendi.

Policia e shtetit ka kaluar në gadishmëri në të gjithë vendin për të menaxhuar situatën ndërsa evidenton si zona me rrezik më të lartë: Tiranën, Lezhën, Fushë Krujën, Durrësin dhe Elbasanin.