Televizioni Klan Kosova ka publikuar një video të cilën e ka siguruar “Associated Press” ku shihen terroristët duke u larguar nga Manastiri i Banjskës në Zveçan të dielën.

Pamjet nga droni tregojnë sulmuesit teksa ecin maleve si dhe brenda mureve të manastirit.

Ata kanë qenë në manastirin në fshatin Banjskë pas vrasjes së policit të Kosovës Afrim Bunjaku dhe pas rrethimit nga Policia e Kosovës, u arratisën nga mali.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre me uniforma dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiç-it, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

“Organizimi terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beograd. Nga ekspertë vendor dhe të huaj është vërtetuar se për sasi armatimi dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka të bëjë asgjë me një organizim ad-hoc, të shpejtë dhe të ditëve të fundit”, tha ai.

Policia e Kosovës është duke vazhduar operacionin edhe gjatë së hënës.