“Nuk do të pendohem kurrë!”

Këto ishin fjalët e fundit që bosi tashmë i ndjerë i Cosa Nostra-s siçiliane, Matteo Messina Denaro iu tha hetuesve në seancën e fundit të marrjes së tij në pyetje.

Burrin që jetoi për 30 vite në arrati, u desh një tumor për ta gjunjëzuar. Ai ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të hëne në spitalin e L’Aquila, 8 muaj pasi u arrestua në një operacion policor në janar të këtij viti.

Bosi mafioz 62-vjeçar vuante nga një formë e rëndë e kancerit të zorrës së trashë, e cila u diagnostikua, ndërsa ishte ende në kërkim në fund të vitit 2020.

Por kush ishte Matteo Messina Denaro?

Një jetë e kaluar me armë në dorë që kur ishte djalë, ndërsa në ndërgjegjen e tij kanë mbetur vrasje dhe masakra të shtumta.

Arrestimi i tij ishte premtuar nga hetuesit, magjistratët dhe Ministrat e Brendshëm italianë ndër vite.

Messina Denaro e kaloi gjysmën e jetës së tij i fshehur dhe menjëherë pas kapjes së bosit tjetër mafioz, Totò Riina, ai u bë i pagjurmueshëm.

E teksa policia shkencore ishte përgjegjëse për përditësimin e imazhit të tij, pasi kishin në dorë vetëm një foto në rininë e shefit, perandoria e tij miliardere u shpërbë dhe u kap pjesë-pjesë.

Kështu u çmontua edhe zinxhiri i saj i mbrojtjes dhe financimit, ndërsa Gdf arriti të shembë mitin e një kumbari që kishte fuqi të pafundme, por jetonte si fantazmë, ndonëse padukshmëria e tij nuk e pengoi të bëhej dy herë baba.

Fëmijët e Matteo Messina Denaro

Gjithçka dihet për një vajzë. Lorenza, deri rreth 10 vite më parë jetonte në shtëpinë e gjyshes nga babai me nënën e saj, Francesca Alagna. Më pas së bashku vendosën të shkëputnin lidhjet e ngushta dhe të shkonin të jetonin diku tjetër. Lorenza, e cila mbante mbiemrin e nënës (më pas babai i saj i dha mbiemrin në spital pas arrestimit), jeton në Castelvetrano dhe lindi një djalë më 14 korrik 2021, të cilit nuk ia vuri emrin Matteo edhe pse kështu e donte tradita mafioze.

Shumë pak dihet për djalin tjetër, edhe kjo prej atyre që ka dalë nga përgjimet. Ai quhet Francesco, si patriarku i vjetër i dinastisë, dhe ka lindur midis 2004 dhe 2005 në provincën e Trapanit, midis Castelvetrano dhe Partanna, ku Matteo Messina Denaro ka ndërtuar fuqinë e tij ekonomike dhe kriminale.

Shefi që i donte femrat dhe luksin

I kujdesshëm në menaxhimin e mosveprimit të tij dhe duke e mbrojtur atë me një mori mbështetësish, një nga bosët më të kërkuar në botë la pas vetëm imazhin e një playboy të paepur me “Ray Bans”, këmisha të shtrenjta dhe elegante të stilit ‘casual’…

Dhe pas këtij imazhi tashmë të zbehur është një gjurmë legjendash, një pushtuesi i madh i zemrave të femrave, një adhurues i Porsche dhe Rolexe-ve prej ari, një maniak i video-lojërave, një ndjekës pasionant i filmave dhe librave komik. Dhe këtu një qëndron mbi të gjithë… Ai është “Diabolik”, nga i cili huazoi pseudonimin. Edhe në pseudonimet e tij, Matteo Messina Denaro personifikonte fytyrën e dyfishtë të një lideri të aftë për të ndërthurur dimensionin tradicional dhe të njohur të mafies me versionin e saj më modern.

Trashëgimtari i Bernardo Provenzano dhe Don Ciçio Messina Denaro

Kumbari i Castelvetrano ka lëvizur gjithmonë mes egërsisë kriminale dhe pragmatizmit politik. Për këtë arsye ai konsiderohej trashëgimtari i Bernardo Provenzanos por mbi të gjitha i babait të tij Don Ciçio, një tjetër bos i nomenklaturës tradicionale që vdiq si i arratisur në vitin 1998. Kur patriarku i vjetër u zhduk, gjurmët e të riut Matteo kishin humbur tashmë prej pesë vitesh, në vitin 1993, madje para se ai të ishte përfshirë në hetimet për masakrat e atyre viteve. Dhe që atëherë Diaboliku kishte arritur gjithmonë, ndonjëherë me akrobaci fatlume të denja për personazhin e pakapshëm të librit komik, t’i shpëtonte goditjeve. Një shpërblim prej një milion e gjysmë euro ishte vendosur për kokën e tij, por për të arritur te gjurmët, hetuesit shtrënguan rrjetin e mbështetësve me një pincë vdekjeprurëse. Nuk u kursyen as familjarët e tij: motra Patrizia, e arrestuar dhe e akuzuar për drejtimin e një rrjeti zhvatjesh, vëllai i tij Salvatore, kunati i tij, nipi dhe shumë njerëz të besuar.

Të shtënat e para kur ishte 14 vjeç, vrasja e parë kur u bë 18 vjeç.

“Fatkeqësitë” gjyqësore të Matteo Messina Denaro, i njohur ndryshe si Diabolik, nisën sipas të penduarit, “për dy automatikët që ai donte të vendoste në pjesën e përparme të Alfa 164″ në vitin 1989, kur ai ishte ende një djalosh. Babai i famshëm i tij, Don Ciçio, -bosi i Castelvetrano – mori ankesën e tij të parë për shoqatën mafioze. I njohur tashmë në qarqet hetimore që prej asaj kohe, ai nuk gëzon ende “famë” publike, por mandatin e ka marrë me delegim nga baba-kumbari i tij i sëmurë që e udhëhoqi drejt trashëgimisë. Duke qenë fëmija mrekullibërës i krimit, i destinuar nga lidhjet e gjakut për të marrë një rol në Cosa Nostra, atij i është dashur gjithmonë të ketë të bëjë me të shtënat e armëve. Në moshën 14-vjeçare dinte të merrej me to, ndërsa në moshën 18-vjeçare kreu vrasjen e parë.

Ai ishte pjesë e komandos që do të vriste Falconen në Romë

“Me njerëzit që vrava mund të ndërtoja varreza”, i ka rrëfyer ai një miku.

Në përputhje me strategjinë e masakrës së Korleonezëve, prej të cilëve, si babai i tij, do të mbetet gjithmonë aleat besnik, ai përfshihet në masakrat e 92-shit ku humbën jetën gjyqtarët Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Roli i Messina Denaro u shfaq vetëm kur Prokuroria e Caltanissetta, e cila rihapi hetimin për sulmet, kërkoi paraburgim për shefin e Castelvetrano dhe në tetor 2020 e dënoi atë me burgim të përjetshëm për dy sulmet. Sipas hetuesve, ai ka qenë i pranishëm në samitin e kërkuar nga Riina në tetor 1991, në të cilin u vendos plani i vdekjes që synonte dy magjistratët. Të penduarit pastaj kanë treguar se ai ishte pjesë e komandos që duhej të eliminonte Falconen në Romë, aq sa mori pjesë në hijezimet dhe inspektimet e organizuara për sulmin. Megjithatë, ndalesa e Riinës erdhi nga Palermo. Dhe Falcone u vra disa muaj më vonë në Capaci.

Në arrati që nga viti 1993

“Diaboliku” luajti një rol të rëndësishëm edhe në masakrat e vitit 1993 në Romë, Firence dhe Milano. I akuzuar dhe i gjykuar, ai u dënua me burgim të përjetshëm për sulmet me bomba. Arratia e tij e gjatë nisi në qershor 1993. Në një letër shqetësuese të shkruar për të dashurën e tij Angela në atë kohë, ai shpalli fillimin e jetës së tij si një Pimpernel Scarlet.

“Do të dëgjoni për mua, do të më pikturojnë si djall, por të gjitha janë gënjeshtra”, i shkruante ai, duke lënë të kuptohet se ishte i vetëdijshëm se emri i tij do të lidhej së shpejti me ngjarje të rënda të përgjakshme.

Dënime për masakra dhe vrasje

“Fantazma” e Messina Denaro u ndoq nga një mal me urdhër-arreste dhe dënime të përjetshme për grup mafioz, vrasje, sulme, posedim dhe transport të lëndëve plasëse. Në ngjarjet më të rënda kriminale të 30 viteve të fundit, duke filluar nga masakrat e 92-shit në të cilën u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, iu njoh dora. Vetë, për më tepër, mburrej se ka “vrarë kaq shumë njerëz sa do të mjaftonin për të mbushur një varrezë”. Por nëse njihet dhe vlerësohet reputacioni i tij si një njeri i pamëshirshëm, disa dyshime janë ngritur mbi aftësinë e tij reale për të rindërtuar, pas arrestimit të Totò Riina dhe Bernardo Provenzano, strukturën unitare të Cosa Nostra-s të prekur nga arrestimet dhe nga një proces fragmentimi. Një bos që e çoi Cosa Nostra-n në mijëvjeçarin e dytë, pa arritur megjithatë të shmangë fundin si kumbarët e vjetër.

Në karrierën e tij kriminale, kumbari nga Trapani ka grumbulluar dhjetëra dënime të përjetshme. Përveç atyre për bombat, ai mori burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe vrasjen e vogëlushit Giuseppe Di Matteo, djalit të të penduarit të rrëmbyer nga një komando i Cosa Nostra, i mbytur dhe i tretur në acid në vitin 1996 pas gati dy vitesh burgim (edhe pse vazhdoi ta mohonte). I shpallur fajtor për krijim të organizatave mafioze që nga viti 1989, me dënimin e fundit për këtë akuzë që ka qenë 30 vjet burg. Gjykata e Marsalas e njohu atë si bos për herë të parë në vitin 2012. Dhe bosi mori gjithashtu një breshëri burgimesh të përjetshme në gjyqet Omega dhe Arca të cilat hodhën dritë mbi një seri vrasjesh mafioze të kryera midis Alcamo, Marsala dhe Castellammare midis 1989 dhe 1992.

“Kurrë nuk kam qenë anëtar i mafies dhe nuk do të pendohem kurrë“

Matteo Messina Denaro e ka mohuar gjithmonë, para drejtësisë, se ka qenë pjesë e Cosa Nostra. Dhe ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat për masakra dhe vrasje, mohoi të kishte trafikuar ndonjëherë drogë (isha i pasur, babai im ishte tregtar i veprave të artit) dhe pretendoi se koha e tij në arrati kishte përfunduar vetëm për shkak të sëmundjes. Në 70 faqe të dëshmisë gjatë marrjes në pyetje, dhënë për prokurorin e Palermos, Maurizio de Lucia, Denaro e kishte bërë të qartë: “E përjashtoj pendimin”. Dhe kështu ndodhi.