Nga Klodian Tomorri

Në fund të muajit korrik, Edi Rama hapi përmes një eventi pompoz garën 392 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Shefi i qeverisë lajmëroi se për ndërtimin e kësaj vepre kishin shprehur interes 15 kompani, pjesa dërrmuese e të cilave nga më të mëdhatë në botë.

“Më vjen shumë mirë që ndër kompanitë e interesuara, ne kemi 5, edhe 5 kompanitë e listuara, si 5 më të mëdha në botë që tregon se çfarë interesi ka ky port”, tha Rama.

Tenderi ishte parashikuar të zhvillohej në datën 16 shtator. Por i gjithë procesi rezultoi një dështim pasi në garë nuk u paraqit asnjë ofertë. Qeveria u detyrua të pranonte zyrtarisht dështimin e tenderit në fillim të tetorit, kur Agjencia e Prokurimeve Publike publikoi njoftimin e anullimit. Por ndryshe nga sa ndodh në këto raste, ku pas anullimit, gara shpallet sërish menjëherë, me portin nuk ndodhi kështu.

Cuditërisht, Autoriteti Portual i Durrësit nuk e ridhodhi sërish në tender ndërtimin e Portit. Dy muaj e gjysmë pas dështimit të tenderit të parë, ndërtimi i portit të ri ka hyrë në kalendat greke, i mbështjellë nga një heshtje, e cila hedh dyshime jo të vogla.

Asgjësimi i nyjës më të madhe tregtare të Shqipërisë është një nga aktet më të rënda të sabotimit të ekonomisë kombëtare. Pak rëndësi ka nëse e gjitha kjo ishte e qëllimshme apo aventurë e përfunduar keq nga paaftësia. Në fund rezultati është i njëjtë.

Lënia e Shqipërisë pa portin më të rëndësishëm tregtar i jep në tavolinë ekonomive konkurrente si Greqia apo Mali i Zi një avantazh të madh në rrafshin financiar dhe atë strategjik, ndërsa ekonomisë kombëtare një thikë në zemër.

Përgjatë kësaj kohe qeveria u ka treguar qytetarëve përrallën e bukur me ndërtimin e portit më të madh në rajon, i cili fillimisht nuk do t’u kushtonte asnjë qindarkë qytetarëve dhe më pas do të ndërtohej bashkë me NATO-n. Me sa duket përrallave po u del boja shpejt dhe tani rreziku i madh nuk janë më 1.3 miliardë eurot që qytetarët do të paguajnë për ndërtimin e portit të ri, që Alabbar të fitojë po kaq me resortin që po ngrihet mbi portin ekzistues në Durrës. Tashmë rreziku më i madh është lënia e Shqipërisë pa port fare.

Kjo të ishte një goditje fatale në formën e farsës qeveritare, që sakaq ka ngrënë jo pak para. Procesi i tenderimit të portit të ri në Porto Romano u udhëhoq nga kompania holandeze Royal Haskoning. Qeveria shqiptare përmes një kontratë të veçantë konsulence i dha kësaj kompanie atribute publike deri në përzgjedhjen e fituesit. Për këtë shërbim, qeveria i pagoi 12 milionë euro kësaj me negociata në tavolinë kësaj kompanie, përmes Autoritetit Portual të Durrësit.

Kontrata kontroverse me hollandezës u nënshkrua falë ndryshimit enkas të ligjit të prokurimeve. Por edhe pse qeveria shkallmoi ligjin e prokurimeve, edhe pse i dha kompanisë hollandeze 12 milionë euro, porti nuk duket gjëkundi. Të vetmet që duken haptazi tashmë janë përrallat e qeverisë dhe 12 milionë eurot që u dhanë në tavolinë.