Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një 26-vjeçare shqiptare ka humbur jetën tragjikisht në ambientin e punës, pasi makineria i ka zënë kokën.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e quajtur, Pieve di Solgio, ku shqiptarja, Anila Grishaj, punonte në kompaninë Bacon që merret me prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve të ngrira.
Mediat italiane shkruajnë se ajo kishte postin e nëndrejtoreshës së kompanisë. Pasojat për të renë shqiptare ishin fatale në këtë aksident të tmerrshëm në punë.
Kolegët ngritën menjëherë alarmin, madje i dhanë 26-vjeçares edhe ndihmën e parë, por ajo nuk mbijetoi dot. Mjekët dhe infermierët e Suem 118 kanë ndërhyrë brenda kompanisë, me një helikopter e ambulancë.
Në vendngjarje mbërritën edhe karabinierët, ndërsa sipas hetimeve paraprake, një makineri paketimi e blerë së fundmi, i ka kapur kokën të resë shqiptare.
Në mbrëmje jashtë ambienteve të kompanisë ka pasur tensione mes familjarëve të vajzës dhe efektivëve të policisë. Familjarët akuzojnë se janë njoftuar me vonesë për ngjarjen e rëndë. Madje babai i vajzës nga tensioni ka goditur me shqelma vazot e luleve.