Një ngjarje e rëndë tronditi dje Tiranën, kur një foshnjë e sapolindur u gjet e braktisur në bodrumin e një pallati.

Foshnja u gjet nga një banor i pallatit i cili dëgjoi të qarat dhe më pas lajmëroi ambulancën e policinë. Disa orë pas ngjarjes, policia arriti të gjente nënën e foshnjës dhe ta shoqëronte në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ka dyshime se 30-vjeçarja, Eglianta Isufi, ka lindur në bodrum dhe më pas e ka braktisur foshnjën.

Gazeta ka zbuluar detaje tronditëse nga ngjarja, ku sipas burimeve nga materniteti“Koço Gliozheni”, foshnja është në gjendje të rëndë dhe ishte e kafshuar në buzë e në krahëNë momentin kur është gjetur fosnja ishte e mbledhur me kordon pasi nuk është prerë.

Në dëshminë e saj, fillimisht ka mohuar që të jetë ajo nëna e foshnjës, ajo gjithashtu ka mohuar të ketë qenë në dijeni të ngjarjes.

Verifikimi i telefonave celular të nënë e bijë më pas ka vërtetuar dyshimet e efektivëve. 30-vjeçarja nga Pogradeci rezulton që është e pamartuar dhe nuk ka fëmijë të tjerë.

Ajo ka deklaruar se arsyeja që e ka fshehur shtatzëninë e saj dhe ka braktisur bebin ka qenë për shkak se nuk ka dashur të merret vesh nga familjarët e saj por edhe opinioni, pasi nuk është e martuar.

Vajza nuk ka folur fare për babain e fëmijës, por ka kërkuar të mos identifikohet dhe më pas është transportuar për në spital.

Njoftimi i policisë ditën e djeshme:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, e cila bën fjalë për gjetjen e një foshnje të porsalindur në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e një 30-vjeçareje, si autore e dyshuar e kësaj ngjarje.

Pas identifikimit dhe shoqërimit, shërbimet e Policisë e kanë dërguar 30-vjeçaren për ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.”