Eurojust njoftoi të martën se ka ngrire me dhjetra llogari bankare në më shumë se 20 vende të Europës si pjesë e një hetimi madhor të nisur që në vitin 2019-të për një skemë mashtrimi me Call Centerat.

Pjesë e këtij investigimi janë edhe autoritetet shqiptare. Burime të Voxnews.al pohojnë se në vendin tonë, masat e bllokimit të llogarive janë ndërmarrë gjithashtu, por pa dhënë më shumë detaje në lidhje me numrin e llogarive të ngrira, bankat ku janë hapur këto llogari, apo personat që përfshihen pas tyre.

‘Llogaritë janë bllokuar me kërkesë të Eurojust, autoriteteve zvicerane dhe atyre gjermane’, thonë burimet.

Hetimet për skemën e mashtrimit, duke tërhequr qytetarët të Bashkimit Europian në investimeve të rreme nisën në tetor 2019, pas një ankese te autoritetet zvicerane.

Hetimet zbuluan qendrat e thirrjeve mashtruese dhe faqet e internetit të kompanive të rreme të investimeve financiare në Ukrainë dhe më vonë edhe në Gjeorgji.

Hetimi u pezullua përkohësisht për shkak të luftës në Ukrainë. Në fund të vitit 2022, megjithatë veprime të synuara u ndërmorën në 23 vende, përfshirë Shqipërinë, ku u kontrolluan vendet dhe u ngrinë llogaritë bankare dhe asetet.

Hetimet zbuluan se shumica e viktimave ishin investitorë zviceranë dhe gjermanë. Autorët dyshohet se përdorën mbi njëqind faqe interneti, duke u paraqitur si kompani serioze investimi, që ofronin transaksione financiare në kriptovaluta dhe opsione tregtare të tjera.