Edi Rama ka kaluar në një fazë tjetër. Ai as që e imagjinon që dikush nga të tijët ta kritikojë apo ta godasë publikisht, por tregohet i ashpër edhe me ata që qëndrojnë neutralë apo pasivë.

Këtë ka pasur rastin ta provojë mbi shpinë ish ministrja e jashtme Olta Xhaçka. Ajo u kthye në target të shefit të rilindjes gjatë asamblesë së fundit socialiste. Kryeministri e fshikulloi atë për pasivitet në faqen e saj të Facebook por ky më shumë duket një mesazh për SPAK.

“Që kur ka ikur nga qeveria, ka harrur të futet edhe në Facebook”-tha Rama në sy të të gjithë asambleistëve. Statistikat e kryeministrit që i mat postimet vartësve ishin të sakta. Ashtu sikurse shihet në faqen e Xhaçkës që nga dita që u shkarkua ajo ka shumë pak aktivitet në rrjetin social.

Në 12 shtator ajo ka botuar një foto me pasardhësin e saj Igli Hasani i cili i dha fund drejtimit 3 vjeçar të ministrisë së jashtme duke i uruar atij postin e ri dhe duke falanderuar Edi Ramën për mundësinë që i dha.

Që nga ajo ditë, tashmë deputetja Xhaçka. ka bërë vetëm 4 postime, dy politike dhe dy jo të tilla, njërin për një panair produktesh ne Kolonjë dhe një tjetër me 7 foto po nga Kolonja.

  

Për mënyrën se si e organizon punën një parti e mbështetur te vitrina dhe fasada, e cila do ti mbivendosë mediave tradicionale komunikimin përmes rrjeteve sociale Olta Xhaçka është treguar vërtetë shumë përtace. Edi Rama e ka shpallur prej vitesh filozofinë e tij për ti kundërvënë kazanëve mediatikë propagandën që shpërndahet nga zyrat e rilindjes.

Sot në çdo institucion shtetëror në shqipëri, gjenden 4-5 kordinatorë që i kërkojnë punonjësve të administratës poblike shpërndarjen dhe pëlqimin për statuste e kryeministrit apo për videot e tij, të Erion Veliajt apo Belinda Ballukut.

Por në këtë pikë kur partiakëve të thjeshtë u kërkohen angazhimi në Facebook, për kryeministrin është e pafalshme që deputetët, që duhet të jenë “të fundit në privilegje dhe të parët në sakrifica”, të mos jenë aktivë. Prandaj Rama mori si shembull deputeten Xhaçka, që që kur u shkarkua është treguar indiferente. Pozita e Olta Xhaçkës u përkeqësuar që kur ajo u akuzua se në konfikt interesi kishte favorizuar si anëtare e kabinetit qeveritar, për ti dhënë Bashkëshortit të saj privilegjin e investirorit stratetegjik.

Kompania e Artan Gaçit, ish-deputet i Partisë Socialiste, mori në mars të vitit 2021 statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 dhomash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”. Në korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike ia kaloi përfitimet e statusit, kompanisë “AGTCC Hotel Managment”  pas një marrëveshje me kompaninë e Gaçit dhe në mars 2022 vendimi i Këshillit të Ministrave i hapi rrugën e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit. Si investitorë strategjikë bashkëshortët Xhaçka- Gaçi përfitonin reduktim të TVSH-së,  procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si dhe përdorimin e tokës shtetërore.

Ndonëse në fillim Rama u duk sikur e mbrojti nga sulmet, duke mos lejuar ngritjen e komisionit hetimor dhe duke ndikuar ne Gjykatën Kushtetuese që shqyrtoi mandatin e saj, në këmbim të shërbimeve për të goditur ambasadoren Yuri Kim dhe për të mbrojtur arrestimin e Belerit. kur ky i fundit bëri një denoncim në SPAK, gjëndja u rëndua.

Xhaçka u bë një nga gjashtë gratë ministre që u detyruan të lënë vendet në fillim të shtatorit bashkë me ish ministren e Bujqësisë Frida Krifca e cila u përfshi në skandalin e abuzimeve me fondet e BE.

Me sa duket ndërprerja e karierës tre vjeçare në krye të diplomacisë, pasi udhëhoqi ër një kohë të gjatë ministrine Mbrojtjes, nuk i ka pëlqyer Olta Xhaçkës. Dhe ajo e shprehu pakënaqësinë me formën në të fortë që mund ti lejohet një rilindasi: duke qenë pasive. Por edhe për këtë u fshikullua nga Rama.

Dhe kulmi i historisë është se pasi kryeministri e vuri në shënjestër, sot Xhaçka u rishfaq me një postim në Facebook pas plot 20 ditësh. Ende mbetet e paqartë nëse statusi i fundit ishte në kthim në resht, apo një ironi indirekte me kryeministrin që është bërë si llogaritar statusesh.