Në 1 prill nisi edhe muaji i shenjtë musliman i Ramazanit dhe në të gjithë botën, ata që respektojnë besimin islam agjërojnë nga lindja në perëndim të diellit. Përtej domethënies që ka agjërimi, duke qenë se në vetvete është “sakrificë” hera-herës shoqërohet edhe me pasoja të tjera, siç mund të jetë: dhimbja e kokës!

Ç’duhet të dini nëse gjatë kësaj periudhe keni patur dhimbje koke më shumë se zakonisht?

Sipas mjekëve, dhimbja e kokës gjatë periudhës së agjërimit është më e shpeshtë tek njerëzit që vuajnë në përgjithësi prej saj. Dhimbje të tilla zakonisht ndihen nëse keni agjëruar për më shumë se 16 orë.

Çfarë e shkakton dhimbjen e kokës së agjërimit?

Dehidratimi, ndryshimet në nivelin e sheqerit në gjak si dhe ndërprerja e kafeinës.

Kur trupi juaj dehidrohet, enët e gjakut ngushtohen. Kjo bën që indet në trupin tuaj – përfshirë trurin tuaj – të tkurren ose kontraktohen. Ndërsa truri juaj tkurret, ai tërhiqet nga kafka, duke ushtruar presion mbi nervat dhe duke shkaktuar dhimbje koke. Për këtë arsye, edhe dehidrimi më i lehtë mund të shkaktojë dhimbje koke. Gjithsesi, konsumimi i ujit nuk mjafton. Përgjithësisht njerëzit marrin 20% të ujit që kanë nevojë nga ushqimi, prandaj nëse do të kaloni një kohë të gjatë pa ngrënë duhet të pini shumë më tepër ujë se zakonisht.

Elektrolitet janë minerale (p.sh.: natriumi, kaliumi, magnezi) në trupin tuaj që janë të rëndësishëm për balancimin e sasisë së ujit në trup, lëvizjen e lëndëve ushqyese në qelizat tuaja dhe për të siguruar që nervat, muskujt, zemra dhe truri juaj të mund të funksionojnë siç duhet. Nivelet tuaja të elektrolitit lëvizin në mënyrë të natyrshme, por ato mund të bëhen shumë të ulëta ose shumë të larta si rezultat i ndryshimeve në sasinë e ujit ose elektroliteve në trupin tuaj.
Shumica e njerëzve marrin elektrolite të mjaftueshme përmes ushqimit ose pijeve, por nëse nuk hani (dhe/ose pini) për periudha të gjata, ka shanse që nivelet tuaja të elektrolitit të humbasin ekuilibrin. Agjërimi për më shumë se 12 orë ose ndjekja e një diete ekstreme të shpejtë (si dieta ketogjenike) do t’ju vendosë në një rrezik më të lartë të dehidrimit dhe ekuilibrit të elektroliteve, sepse bën që veshkat tuaja të largojnë natriumin dhe kaliumin.

Nëse trupi juaj po i dëbon ato dy elektrolite, mund të ndodhë një çekuilibër, i cili mund të çojë në dehidrim ose mbihidrim – të dyja këto gjëndje mund t’ju shkaktojnë dhimbje koke.
Ndryshimi i papritur i regjimit apo heqja dorë nga kafeina gjithashtu shkakton dhimbje koke që ndoshta s’i keni përjetuar më parë në mënyrë të përsëritur.

Ç’mund të bëni gjatë kësaj periudhe?

Lajmi i mirë është se dhimbje të tilla largohen menjëherë sapo ushqeheni! Duhet të tregoni kujdes tek sasia e vaktit të parë, sigurohuni të mos jetë shumë dhe i pasur me karbohidrate. Kombinojini me perime, proteina, fruta për të pasur energjinë që ju duket gjatë ditës dhe për të ruajtur nivelet e duhura të sheqerit në gjak.