Është përkeqësuar gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Mësohet se Mëngjesi po mbahet i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë, dhe është në gjendje të pavetëdijshme. Ai ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, nga 3 persona, 1 prej të cilëve është identifikuar nga policia, por nuk është vënë ende në pranga. Mëngjesi u sulmua nga 3 persona, të veshur me të zeza dhe me kapele, menjëherë sapo la fëmijën e tij të mitur në kopshtin që ndodhet në zonën e ish-Bllokut.

Ndërkohë që për Syri.tv ka dhënë detaje një grua që ka qenë dëshmitare e skenës së rëndë. Ajo thotë se Mëngjesi është sulmuar në derën e kopshtit, ku kishte lënë djalin e tij të mitur. Dëshmitarja shprehet se Mëngjesi ka qenë i shtrirë në tokë, deri në mbërritjen e punonjësve të policisë dhe ambulancës. Gruaja tregon që Mëngjesi ka qenë në gjendje të pavetëdijshme, ndërsa i rridhte gjak nga pjesa e pasme e kokës.

Dëshmitarja: Ishte ora tetë e gjysmë e mëngjesit. Zotëria solli djalin në kopsht dhe kur po dilte nga kopshti (djali ishte futur brenda), tek dera – nuk e pashë fiks kur e qëlluan, por zotëria u shtri te dera e kopshtit. Kam parë momentin që zotëria ishte i shtrirë.

Pyetje: Pasi keni parë këtë moment, keni parë personat rreth tij që ushtruan dhunë?

Dëshmitarja: Njëri nga tre personat që ishin, që ishin bashkë, ishte afër zotërisë edhe mori rrugën…

Pyetje: Çfarë veprimesh bënte në atë moment?

Dëshmitarja: Bëri çik si me … Nuk e di a i foli apo s’i foli se i pa nga sipër dhe iku.

Pyetje: Kur dolët ju, e gjetët të shtrirë, a përmendej, fliste?

Dëshmitarja: Absolutisht. Ishte pa ndjenja. Kam qenë e para që e kam parë nga sipër. Filloi gjaku t’i rridhte nga poshtë kokës. Shumë pak ishte në fytyrë, por jo i dëmtuar. Nuk kishte fare. Pika gjaku, u gjakos poshtë. Njoftuan njerëzit Policinë. Policia erdhi para ambulancës. Pak minuta pas policëve erdhi edhe ambulanca. Në kohën që erdhi ambulanca filloi të përmendej.

Pyetje: Tha diçka?

Dëshmitarja: Absolutisht.

Pyetje: Dëgjuat nga autorët, personat që ushtruan dhunë, diçka që të artikulohej?

Dëshmitarja: Jo jo, fare.

Pyetje: Kishte fëmijë të pranishëm në momentin që ndodhi ngjarja?

Dëshmitarja: Po, kishte. Jo afër fëmijë. Filluan njerëzit u larguan, fëmijët brenda, rrinin në perimetër, një çikë larg. Kishte njerëz plot. Plot. Prindër, njerëz, makina që lëviznin shpejt.

Pyetje: Zotëria që u dhunua, e kishte lënë djalin në kopsht?

Dëshmitarja: Djali ishte futur. Ishte futur në kopsht. Djali nuk pa gjë për mendimin tim. Nuk kishte kalama në oborr të kopshtit. Ai po dilte nga kopshti që të ikte. Më duket se me motorr ishte zotëria, më thanë, por që nuk jam 100% e sigurt. Me motor kishte ardhur të sillte djalin në kopsht.