Lulzim Basha, sipas një lajmi të sotëm, është emëruar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës si “raportues për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës”.
Të gjithë anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës janë të detyruar të plotësojnë një formular vjetor të “konfliktit të interesit”.
Në dokumentin e dorëzuar nga Lulzim Basha pranë këtij organizimi në 7 shkurt të këtij viti, ai e deklaronte veten para evropianëve si “Kryetar të Partisë Demokratike” edhe pse kishte dhënë dorëheqjen që në 21 mars të 2022.
Në pikën 2 të dokumentit, përveçse thotë se është kryetar i PD-së, Basha shprehet se këtë e ka një detyrë “të përhershme” dhe se paguhet 12 mijë euro në vit.
Në publik në atë kohë, Enkelejd Alibeaj ishte ai që dilte ekran më ekran duke deklaruar se “Basha kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe se ishte ai që kryetari i komanduar”.
Zyrtarisht Basha u kthye për një mandat të katërt, këtë herë si kryetar i PD-së më 29 korrik 2023 nëpërmjet një procesi të ashtuquajtur “një anëtar, një votë”.
Në anën tjetër ai asnjëherë nuk e zyrtarizoi në gjykatë dorëheqjen duke mbajtur “me dhëmbë”, vulën dhe logon në zgjedhjet lokale të 14 majit ku PD zyrtare u rendit forcë e katërt.