Partia Demokratike kërkon sërish ndryshimin e rendit të ditës të seancës parlamentare.

12 deputetë demokratë, të grupit të Sali Berishës kanë nënshkruar kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës për seancën e të enjtes, me qëllim për të diskutuar për skandalin e përfshirjes  sipas tyre të Edi Ramës në korruptimin e shefit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, për të luftuar opozitën në Shqipëri.

Asgje tjeter ne rend te dites neser….vetem “Mocion me debat”. Vetem kjo duhet kerkuar nga te gjithe! E kerkuam kete ne seancen e kaluar. “Mocion me debat” per ceshtjen McGonigal, e vetmja gje, qe duhet te realizoje neser Kuvendi” shkruan deputeti Tritan Shehu.

Seancën e kaluar, shumica refuzoi kërkesën e grupit të Berishës që tashmë e ka përsëritur. E ndërsa Berishën e refuzoi, Kuvendi ka pranuar kërkesën për mocion me debat të Gazment Bardhit, të grupit të Enkelejd Alibeajt me Edi Ramën për këtë dosje që do të zhvillohet nesër.

5 deputetë të Partisë Demokratike nuk do të marrin pjesë në punimet e Parlamentit pasi janë të përjashtuar për shkak se 1 javë më parë bllokuan foltoren e Kuvendit duke pamundësuar zhvillimin e seancës.

Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Edmond Spaho dhe Belind Këlliçi nuk do të marrin pjesë në seancën plenare dhe as në komisionet parlamentare për 10 ditë.