Drama për familjen Saliaj në Tiranë nuk kanë fund. Mbrëmjen e djeshme, në zonën e Freskut, pas një aksidenti ka humbur jetën 20-vjeçari Enjo Saliaj, i cili ka qenë duke drejtuar një motor kur u përplas nga një makinë.

I riu humbi jetën në spital, për shkak të plagëve të marra në trup. Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin Sildi Krashi, tashmë është arrestuar. Por mjeti nuk ka qenë në pronësi të 19 vjeçarit, por të shtetasit F. A.

20-vjeçari rrinte tek gjyshërit, për të cilët drama nuk ka fund. Pas djalit, atyre iu vdes edhe nipi. Babai i Enjo Saliajt, Kudret Saliaj u vra në ambientet e gjykatës nga ish vjehrri dhe ish bashkëshortja, teksa kanë qenë në proces divorci.

Ngjarja ka ndodhur më 4 qershor në një lokal pranë Gjykatës Civile, në Tiranë, ku Mexhit Picari 53 vjeç, vrau në mes të lokalit, bashkëshortin e vajzës, Kudret Saliaj 41 vjeç, pak minuta pas seancës së pestë. Po ashtu plumbat prekën dhe avokatin e viktimës Adriatik Cama. Hetimet zbuluan se Kudreti kishte marrë pesë plumba në trup nga vjehrri i tij.