SHBA dhe BE do të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë mes akuzave për krime lufte në qytetin ukrainas të Buça. Uashingtoni thuhet se po shqyrton masat që synojnë dy vajzat e Putinit, si dhe bankën më të madhe të Rusisë.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilin ai përvijoi një listë të mizorive të dyshuara ruse. Në deklaratën më të fortë që ka bërë që kur Rusia pushtoi Ukrainën, India ka “dënuar pa mëdyshje” vrasjet në Buça të Ukrainës dhe ka mbështetur thirrjet për një hetim të pavarur mbi “raportet thellësisht shqetësuese”.

Forcat ruse i kanë fokusuar përpjekjet e tyre kryesore në një operacion “agresiv” që synon vendosjen e kontrollit të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk, sipas Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Luftimet e ashpra dhe sulmet ajrore ruse kanë vazhduar në qytetin port të Mariupolit.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mblidhen në Bruksel për dy ditë bisedimesh ku fokus i diskutimeve do të jetë mbështetja ndaj Ukrainës në fazën tjetër të konfliktit.