Zbardhen të tjera dëshmi nga dosja hetimore në lidhje me vrasjen e 63-vjeçares Fatime Suli në Kozare të Kuçovës, e cila u mbyt nga fqinji i saj Fetah Marra. Ngjarja në fjalë ndodhi më 20 janar të këtij viti.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dosjen e plotë hetimore të prokurorisë, e cila ka mbyllur dhe hetimet për Marrën, pasi pretendon se ndaj tij ka prova që e fajësojnë për krimin. Në dosje jepet dhe dëshmia e Anduela Bejdos, vajzës së viktimës.

“Ditën e ngjarjes, vëllai i saj Erjoni, e ka marrë në telefon rreth orës 18:30-19:00 dhe i ka thënë që nuk po e gjenin mamanë. Menjëherë i ka thënë që e kanë vrarë ata të dy, Izeti me Fetahun. Të dy këta persona kishin kohë që nuk e linin rehat dhe e ngacmonin dhe e vinin në lojë. Po sahtu i thoshin fjalë të ndyra. e ndjera shkonte çdo ditë dhe mblidhte penjtë e domateve përreth zonës ku ndodheshin serat. Ajo i ngarkonte në karrocë dore dhe i sillte në shtëpi. Këtë punë e bënte zakonisht çdo ditë. Po kështu në vendin ku Fatimja shkonte dhe mblidhte penjtë shkonin dhe Izeti me Fetahun. Ata shkonin me qëllim që ta ngacmonin Fatimen paso aty nuk ishte toka e tyre. Dhe vendi ku i gjet e ndjera ishte shumë pranë vendit ku ajo shkonte dhe mblidhte penjtë. Kohët e fundit, Fatimja po shfaqte probleme të shëndetit mendor dhe këtë mund ta vinin re personat që kishin kontakt me të çdo ditë, si familjarë dhe banorë të fshatit. Dhe vetë fakti që ajo shkonte dhe mblidhte penjtë e domateve të linte të kuptohej që ajo kishte probleme me shëndetin mendor. Penjtë që ajo sillte nuk kishin fare vlerë, pasi ishin një përdorimesh dhe kur i sillte i digjnin. Në këtë kohë ajo është trajtuar me barna në Tiranë te doktoresha Luljeta Lleshi dhe trajtimi me ilaçe ka vazhduar çdo ditë derisa gjeti vdekjen.”, thuhet në dosjen hetimore.