Azgan Mernica është sot një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, që pas vrasjes së një ditë më parë, kur ekzekutoi me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalian pas një sherri të çastit për kalimin në një rrugë të ngushtë të fshatit.
Forca të shumta të Policisë së Fierit, të cilëve u është bashkuar dhe RENEA po kërkojnë Mernicën, i cili ka arritiur t’u shpëtojë që prej ditës së djeshme dhe pse mbrëmë vonë u raportua se ai ishte rrethuar në zonën e Apollonisë.
23-vjeçari Mernica, duket se ka pasur një jetë jo të lehtë, kjo pasi vjen nga një familje me të shkuar të theksuar kriminale.
Vëllai i tij, Kiri Mernica, në vitin 2019-të masakroi me thikë Florian Selimin. Për vrasjen e këtij të fundit ai ka pasur dhe një bashkëpunëtor, Sadri Selacin.
Mësohet se pasi e kanë masakruar me thikë Selimin, Mernica dhe Selaci ia kanë hedhur trupin në një kanal, ku u gjet pas disa orësh kërkime. Në janar 2023 Gjykata e Fierit i ka dënuar me 19 vite burg dy autorët, Kiri Mernica dhe Sadri Selaci.
Ndërsa më herët ai u la në “Arrest shtëpie”, por e theu masën e sigurisë në vitin 2021 gjatë tentativës për të ekzekutuar Pashk Palnikaj.
Pas kësaj ngjarja Gjykata e Fierit e dënoi për vrasjen e Selimit dhe tentativën për vrasjen e Palnikajt. Ndërkohë babai i tij, Petrit Mernica, ka bërë 20 vite burg për vrasjen e kunatit. Ndërsa, edhe vëllai tjetër i 23-vjeçarit ndodhet në burg në Gjermani.
Gjatë momentit të vrasjes së efektivit Novruz Cenalia, në makinë me Azgan Mernicën, ka qenë dhe nëna e tij, e cila ka parë të gjithë skenën.
Në dëshminë e dhënë në polici, Ajete Mernica ka thënë se u ka kërkuar që të mos të zihen me njëri-tjetrin, ndërsa në një moment ka dëgjuar një të shtënë dhe ka parë djalin që është futur me vrap në makinë dhe më pas është larguar.
Pastaj ka shtuar ajo, djali më ka lënë mua dhe makinën tek shtëpia e dajës dhe është larguar në këmbë, bashkë me armën e krimit.
Policia është vënë në ndjekje të tij, por deri më tani operacionet për arrestimit e Azgan Mernicës kanë dështuar.