Kur ka kaluar më shumë se 2 muaj nga përfundimi i reallity show-t “Big Brother Vip”, jehona e këtij programi mesa duket akoma nuk është shuar. Personazhet pjesëmarrës në sezonin e parë të këtij programi vazhdojnë të jenë në sytë e publikut dhe të komentohet për gjithçka bëjnë.
Së fundmi siç edhe iu premtua brenda shtëpisë së “BBV”, dy vëllezërit Romeo dhe Donald Veshaj kanë nisur transmetimin e emisionit të tyre “Më Lër Të Flas”. Ky program ka transmetuar vetëm dy puntata, dhe nga personazhet e ftuar dhe bisedat e zhvilluara midis tyre, duket se gjithçka rrotullohet akoma rreth “Big Brother Vip”.
Mirëpo jo gjithsecilit i pëlqen që edhe pas kaq shumë kohësh që ka përfunduar, ky format vazhdon komentohet dhe i jepet një rëndësi kaq e madhe. Einxhel Shkira një ish-finaliste e programit, duket se nuk është aspak dakord me këtë situatë. Ajo ka reaguar në rrjetin e saj Twitter, duke ironizuar programin e vëllezërve Veshaj. “Ka pasur jetë dhe para tetorit 2021… Të paktën për mua po iher,”- ka shkruar Einxhel.
Ju kujtojmë që Einxhel Shkira dhe Donald Veshaj i kanë marrëdhëniet e krisura që brenda shtëpisë se “BBV” pas debatit të famshëm. Ky debat u agravua kur moderatorja e akuzonte aktorin e humorit se e ka pushuar padrejtësisht nga puna dhe nuk e ka paguar. Nga ana e tij, Donald Veshaj ka deklaruar se Einxhelin e kanë pushuar dhe në shumë vende të tjera, gjë të cilën modelja e mohonte me bindje të plotë.