Kryeministri Albin Kurti është shfaqur në një konferencë për media së bashku me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, pas takimit që e patën.

Lajçak paralajmëroi se do t’i vazhdojnë diskutimet me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani lidhur me planet për javët dhe muajt e ardhshëm.

Kjo ishte një mundësi e mirë për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ai.

Emisari evropian tha se do të qëndrojnë në Kosovë deri të mërkurën. Deri atëherë ai theksoi se shpreson që “ta kemi një fotografi më të qartë të asaj se çfarë duhet të presim nga e ardhmja dhe se si të ndërtohet procesi”.

Ndërsa Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë përkrah. “Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjek edhe rrugën e saj të integrimit në BE.

“Nga perspektiva amerikane dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, tha fillimisht diplomati amerikan.

“Ju jeni evropianë, ju jeni historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht evropianë”, tha ndër tjerash Escobar.

Para tyre, kryeministri Kurti foli për prioritetet dhe punët e Qeverisë, me theks në luftimin e krimit dhe korrupsionit.