Teksa hyn në ambientet e COD në Kryeministri përfshihesh nga errësira dhe misteri duke u përballur me një përbindësh uji. Duket sikur është fazim, në fillim vjen pjesa e peshkut, më pas vjen pjesa mekanike apo ajo e bishës dhe duket sikur avash-avash, me prerje të ndryshme të cilat ndodhin në hapësirë, mund të futesh brenda kafshës së stërmadhe. Më tej, vjen salla më e vogël, aty ku zë fill vertebra dhe është e lëvizshme. Lëvizja aty brenda jep në njëfarë mënyre formën e kësaj kafshe të madhe që nuk noton aty, por lëvizja mekanike të jep përshtypjen që është një gjë që gjallon.

Ky është Leviatani, një përbindësh i nënujit që është përmendur për herë të parë në Testamentin e Vjetër Biblik, një krijesë mitologjike, por njëkohësisht edhe si simbol i fuqisë së madhe krijuese të Zotit dhe një bishë demoniake e aftë të vrasë. Më vonë filozofi Thomas Hobbes do ta sillte Leviatanin si një metaforë e luftës për pushtet.

Duke e quajtur si një temë aktuale, skulptori i njohur, Ergys Krisiko e risjell Leviatanin në një rrafsh tjetër, atë artistik, nëpërmjet ekspozitës së rrallë, “Leviatani mekanik”, të çelur në qendrën COD në Kryeministri.

Errësira që shoqëron ekspozitën shton akoma më shumë misterin e simbologjisë së kësaj trinie. Leviatani duket sikur kërkon të pushtojë të gjithë hapsirën, duke lënë pak vend për lëvizje dhe duket sikur e bën vizitorin të ndihet i vogël përballë kësaj skulpture kaq të pranishme.

Ekspozitën që të ndërmend një skenar mitologjik e plotësojnë përbindëshi që ka pushtuar dy sallat në ambientet e COD dhe tre kuajt në hyrje të institucionit. Kuajt që janë jashtë duket sikur janë antagonizmi i gjithë kësaj që ndodh aty brenda.

“Leviatani jashtë sfondit fetar është trajtuar nga filozofë të ndryshëm, ndër to dhe Thomas Hobbes që e ka risjellë Leviatanin si një metaforë e luftës për pushtet, e cila është një temë mjaft aktuale. Leviatani simbolizon luftën për pushtet, apo edhe vetë pushtetin… ama varet se si e percepton atë, për mua burimi i pushtetit është votuesi, pra populli”, shprehet Krisiko.

Duke qenë se lufta për pushtet sa vjen e ashpërsohet, Krisiko thotë se “kjo nuk ka qenë e nuk është kurrsesi një temë e vjetruar, ajo është e çdokohshme, e sidomos në botën politike të 2022, kur fantazia nuk ka forcë të sfidojë realitetin”.

Përbindëshi vjen krejt i vetëm në këtë ekspozitë, pavarësisht madhështisë së tij, nga njëra anë i frikshëm, por i padëmshëm.

Tre kuajt e vendosur në hyrje të Kryeministrisë, që përbëjnë të parën tablo, Krisiko thotë se janë pjesë e të njëjtit peizazh dhe është e qartë se ata nuk kanë frikë nga Leviatani.

“Kuajt janë krijesa shumë inteligjente dhe janë simbol i vendosmërisë, durimit, lirisë dhe fisnikërisë në shumë kultura, ndaj vendosja e tyre jashtë ndërtesës së Kryeministrisë e shtyn këtë eksperiencë përtej fizikes, duke i dhënë nota filozofike dhe duke e nxitur vizitorin të ngrejë pyetje mbi qëndrimin e tij ndaj përbindëshit, nëse duhet t’i trembet apo t’i afrohet. Ama nëse i shohim kuajt me kujdes, ata qëndrojnë krejtësisht të paqtë jashtë dyerve të COD”, vijon Krisiko.

Ana e errët e kësaj bishe demoniake, që filozofi Thomas Hobbes e lidh me pushtetin e skulptori Ergys Krisiko me Kryeministrinë, të çon deri tek aftësitë vrasëse.

“Vepra është ekspozuar brenda një ndërtese që mbart kaq shumë histori, siç është Kryeministria, madje ekspozita mund të shërbejë si një bashkësi lentesh të ndryshme për qasjen ndaj kësaj ndërtese, duke e lënë vizitorin të lirë për ta përjetuar në mënyrë subjektive dhe personale këtë eksperiencë; ajo mund të shihet në tërë veshjen e saj historike, të ndërveprohet me të përmes Leviatanit”, vijon Krisiko.

Krisiko me këtë ekspozitë jo të zakontë e lë të lirë publikun të ndërveprojë e pse jo të krijojë edhe njëfarë kureshtjeje nëse kjo ndërtesë është një kafaz për Leviatanin, apo është rob i tij.

“Është ndërtesa që e ka robëruar Leviatanin e futur në kafaz, apo është vetë Leviatani që e ka mbërthyer atë? Po Leviatani kush është? A duhet druajtur prej tij? Publiku mund ta interpretojë në mënyra të ndryshme”, përfundon Krisiko.

Ekspozita “Leviatani Mekanik” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 15 prill./si/