Rusët po përparojnë. Ukrainasit po gërmojnë. Disa javë pasi e arritën fitoren më të madhe në fushëbetejë pas gati një viti, pushtimin e qytetit industrial Avdivka, forcat ruse po çajnë përpara – në disa vende ngadalë, e në disa të tjerë me shpejtësi. Komandantët ukrainas po nxitojnë për të ndërtuar vija mbrojtëse të frontit – llogore, bunkerë, pengesa me gjemba kundër tankeve dhe mina fushore. Por, disa ekspertë thonë se këto vija mbrojtëse është dashur të ndërtoheshin muaj më parë.

Ndërkohë, oficerët e logjistikës dhe rekrutuesit ushtarakë po bëjnë përpjekje të mëdha për të gjetur më shumë burra për t’i rifreskuar njësitë e dërrmuara dhe të asgjësuara. Gjendja në fushëbetejë është e zymtë për Ukrainën, thonë ekspertët, dhe mungesa e furnizimit me armatim nga Shtetet e Bashkuara po e bën gjendjen edhe më të zymtë. Rusia gëzon tani një përparësi dhe asgjë nuk ka mundësi ta ndryshojë atë në të ardhmen e afërt, paralajmërojnë analistët ushtarakë. “Për forcat ukrainase, gjendja mbetet e vështirë, si pasojë e shumë faktorëve, siç janë: përpjekjet e vonshme për mobilizim, ndërtimi i fortifikatave të pamjaftueshme, hapat e gabuar gjatë luftimeve më 2023, dhe më e rëndësishmja, dështimi vendimtar i partnerëve për ta dhënë municionin e premtuar, me gjithë zotimet e mëhershme”, sipas një oficeri rezervë, i cili e udhëheq një organizatë të inteligjencës që është e lidhur me ushtrinë ukrainase, dhe i cili nuk mund të flasë publikisht për shkak të kufizimeve ushtarake.

“Është goxha keq, në të vërtetë”, tha Konard Muzyka, një analist i mbrojtjes nga Polonia, i cili i vizitoi disa vende në Ukrainë në afërsi të vijave të frontit javën e kaluar. “Ukrainasit nuk janë në gjendje ta frenojnë dukshëm përparimin e rusëve”, tha ai për Radion Evropa e Lirë (REL). “Rusët do të pushtojnë fshatra dhe vendbanime të reja ngadalë, por sigurt. Nuk do të jetë një fitore e shpejtë. Por, mendoj se mund të thuash se, tani për tani, ukrainasit nuk kanë qenë më të dobët se sot mbase prej verës së vitit 2022”, tha ai.

Rënia e Avdivkës

 

 

Në një anë të pushtimit rus, Ukraina ka pasur sukses të jashtëzakonshëm: në Detin e Zi. Në fushëbetejë është shumë më ndryshe. Arritjen më të madhe në fushëbetejë Ukraina e shënoi në disa muaj në vitin 2022, kur e çliroi rajonin e Harkivit në verilindje, dhe rajonin e Hersonit, në bregun perëndimor të lumit Dnejpër, në jug. Vitin e kaluar, komandantët ukrainas – të udhëzuar nga këshilltarët perëndimorë, trajnuesit perëndimorë dhe inteligjenca perëndimore – synim parësor e patën ndërtimin e një strukture të re të forcës, e cila do t’i printe një kundërofensive ndaj trupave ruse.

Forcat ukrainase e nisën ofensivën në qershor të vitit të kaluar me urdhër të gjeneralit Valeriy Zaluzhniy, komandanti kryesor i ushtrisë së vendit në atë kohë, duke carë përpara në tri vende përgjatë vijës së frontit 1.200 kilometra të gjatë. Kundërofensiva nuk shkoi mirë. Mbrojtja e Rusisë u dëshmua shumë më e fortë dhe më e sofistikuar sesa që kishin parashikuar komandantët ukrainas. Kah fundi i vitit 2023, trupat ukrainase ngecën, siç pati sugjeruar Zaluzhniy në një shkrim të publikuar në The Economist.

Tetorin e kaluar, ndërkohë, në Avdivkës, forcat ruse filluan të çajnë përpara për ta pushtuar qytetin e fortifikuar dukshëm, në mënyrë që të mos i lejonin forcat ukrainase të kërcënonin në kryeqytetin rajonal të Donjeckut, më pak se 20 kilometra në jug. Përpjekjet fillestare për t’i rrethuar forcat ukrainase, dështuan. Kah janari, forcat ruse u riorganizuan dhe në javën që pasuan, me përdorim të shtuar të avionëve luftarakë dhe armëve të rënda, duke mos u lënë trupave ukrainase mundësi të mbrohen. Madje edhe njësi elitare ishin zhvendosur atje për të ndihmuar në vijën e mbrojtjes, por më 17 shkurt, komandantët ukrainas njoftuan se qyteti u pushtua dhe i tërhoqën forcat nga atje.

“Një vit pa ndërtimin e vijave mbrojtëse të frontit”
Prej se ra Avdivka, forcat ruse kanë carë përpara në perëndim, duke lëvizur me shpejtësi në ditët e para, por së fundmi, janë ngadalësuar. Ekspertët thonë se mbrojtja e ukrainase po organizohet dhe se forcat ruse po varen dukshëm nga sulmet e këmbësorisë, për shkak të humbjeve të mëdha të automjeteve të blinduara gjatë pushtimit të Avdivkës; disa vlerësojnë se Rusia i humbi më shumë se 600 pajisje të rënda si, tanke, automjete të blinduara për bartjen e personelit dhe transportues të këmbësorisë.

“Deri tani, armiku nuk ka qenë në gjendje t’i thyejë vijat e mbrojtjes në drejtim të Avdivkës. Por, ata po përpiqen vazhdimisht të çajnë përpara. Mbi të gjitha, ata tani po luftojnë kundër vendbanimit Orlivka. Këtu, ata po pësojnë humbje të mëdha, por prapëseprapë po vazhdojnë të luftojnë ditë e natë”, tha Maksym Zhorin, nënkomandant i Brigadës së Tretë Sulmuese të Ukrainës. Të dhënat deri më 12 mars tregojnë se Orlivka, e cila shtrihet në veriperëndim të Avdivkës, është mposhtur nga forcat ruse. Forcat ruse po u bëjnë trysni ukrainasve edhe në Robotine, në rajonin e Zaporizhjas, në afërsi të Kupianskit në pjesën lindore të rajonit të Harkivit dhe në perëndim të Bahmutit.