Shfaqen shenja jete në anijen e djegur të linjës Igumenicë- Brindizi. Pas tre ditësh kur anija mori flakë dhe tymi i zi mbuloi gjithçka, grupet greke të shpëtimit kanë mundur të gjejnë të gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore një nga 12 personat që rezultonte i humbur.

I shpëtuari është shofer kamioni nga Lituania, i cili i ishte fshehur flakëve dhe tymit asfiksues në pjesën e prapme të  anijes “ Euroferry Olympia ”. Burri u gjet në skajin e anijes dhe madje zbriti vetëm shkallët për të shkuar te shpëtimtarët.

Në dëshminë e tij të parë, shoferi lituanez ka thënë se “ kam dëgjuar zëra të tjerë në anije ”.

Ende 11 pasagjerë të tjerë në anije rezultojnë të zhdukur. Anija është ankoruar në një vend të sigurt në veri të Korfuzit, ndërsa brenda saj ka ende vatra zjarri të vogla që janë aktivë. Për shkak të temperaturave tepër të larta brenda anijes si pasojë e zjarrit, ku në disa zona i kalon 500 gradë celsius, po vështirësohet operacioni i shpëtimit dhe ndërhyrja e grupeve brenda saj për të kërkuar ende për 11 të zhdukurit, mes të cilëve 3 janë me origjinë greke.

Pas përfundimit të operacionit për gjetjen e të zhdukurve dhe shuarjes së zjarrit, ekipet speciale do të nxjerrin të gjitha sasitë e naftës nga anija për të neutralizuar rrezikun e ndotjes së detit.

Anija është tërhequr në një vend të sigurt në veri të Korfuzit. ndërkohë që edhe sot uji hidhet në pikat periferike të anijes dhe jo brenda saj, për të arritur ftohjen por edhe për të mos prishur qëndrueshmërinë e saj.

Gjatë ditës nuk përjashtohet që të ketë një operacion të ri nga një ekip special në bord për të gjetur 11 të zhdukurit e mbetur në rast të rënies së ngarkesës termike dhe toksike.

Lëvizja e anijes në këtë pikë u gjykua e nevojshme për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike në zonën detare por edhe për të mos rrezikuar të tërhiqet zvarrë dhe të bllokohet në cekëta ose të përplaset me një anije tjetër.

Rreth anijes ndodhen pesë rimorkiatorë, një varkë e Brigadës së Zjarrfikësve dhe dy mjete lundruese të Rojës Bregdetare.