Mbrëmjen e sotme është regjistruar një grabitje në një postë private në Tiranë.

Sipas njoftimit të policisë ngjarja ka ndodhur  rreth orës 21:15 në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

Mësohet se një person ende i paidentifikuar, i cili mbante një send të dyshuar si mjet prerës, është futur në filialin e një poste private ku ka marrë një shumë parash. Pasi ka marrë shumën e parave ai është larguar me një motor.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën, për të bërë të mundur kapjen e autorit.