Emiliano Jakupi, është 33-vjeçari i arrestuar nga policia greke pasi akuzohet se ka bashkëpunuar me shqiptarin, Nardi Ismet Idrizi në plagosjen e tre grekëve në Athinë.

I riu shqiptar është vetëdorëzuar në polici dhe ka treguar versionin e tij të ngjarjes. Ai thotë se tre të rinjtë Kreta i kanë ofenduar shqiptarët dhe njëri prej tyre ka goditur me shuplakë Jakupin. Kaq ka mjaftuar që 37-vjeçari Idrizi të nxjerrë armën dhe të qëllojë në drejtim të tyre.

Ai gjithashtu ka pohuar se nuk e dinte që shoku i tij kishte armë me vete. Pas ngjarjes, ai është larguar me 37-vjeçarin Idrizi por pas konsultës me avokaten ka vendosur të vetëdorëzohet në polici. Jakupi dhe Idrizi ishin shokë prej disa muajsh dhe të premten mbrëma kishin dalë së bashku, fillimisht në zonën e Vrilissit dhe më pas në Gazi, për t’u argëtuar.

Por teksa dilnin nga një klub, makina e tyre kishte rënë në një pellg me ujë dhe tre grekët që ishin aty pranë ishin lagur. Këtu ka nisur edhe sherri me të shara dhe ofendime dhe në një moment autori i shpallur në kërkim ka nxjerrë armën dhe ka plagosur rëndë tre prej tyre.

Emiliano Jakupi ka qenë i shpallur në kërkim edhe për një ngjarje tjetër të ndodhur 9 muaj më parë, atë të ekzekutimit të shtetasit shqiptar Pëllumb Islami në vendin e quajtur Neo Iraklio.

Ndërkohë policia greke vijon punën për arrestimin e shqiptarit Nardi Ismet Idrizi, i cili është emër i njohur nga policia shqiptare. Ai është deportuar dy herë nga Greqia por është rikthyer sërish atje.