Deputeti i Partisë Socialiste Vullnet Sinaj ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë në SPAK ndaj tij, nga PD, në lidhje me konfliktin që ai pati me deputetin opozitar Bledjon Nallbati.

Sinaj tha se deputeti Nallbati e goditi gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, por ai e priti grushtin me dorë. Ai shtoi se kjo vërtetohet nga pamjet filmike të Kuvendit, ndërsa tha se duhet hapur komision edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Nëse SPAK më thërret do të shkoj. Nuk kam frikë nga drejtësia. Aty janë videot e se unë kam pritur me dorë grushtin. Ai ka goditur por unë e kam pritur me dorë. Ndodhi ai incident që ndodhi. Mund të ndodhte dhe me një koleg tjetër. Si deputet them se duhet të ketë komision dhe për Berishën.“- tha Sinaj.

Kujtojmë se më herët, Partia socialsite e kallëzoi në SPAK deputetin Nallbati për përplasjen me Sinajn, e nga ana tjetër, demokratët u përgjigjën duke kallëzuar Sinajn për të njëjtën akuzë.

Seanca plenare e 30 tetorit u shoqërua me debate dhe diskutime të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Më pas debatet mes tyre degraduan deri në konfrontim fizik. Deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati goditi me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina. Nallbati fillimisht iu drejtua karriges së deputetit socialist Vullnet Sinaj duke i shkulur mikrofonin, duke bërë që ky i fundit të ngrihet në këmbë.

Pasi e shtyn, Nallbati e godet me grusht, duke e kapur lehtë deputetin e PS, pasi ndërhyjnë për t’i ndarë deputetët e tjerë të pranishëm. Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla pezulloi seancën dhe më pas u mor vendimi për përjashtimin e deputetit Bledjon Nallbati.