7 muaj hetime i janë dashur Prokurorisë së Posaçme në bashkëpunim me Eurojust dhe Interpol si dhe vende partnere për të zbërthyer një grup kriminal prej 11 personash mes tyre persona me rekorde kriminale, punonjës policie dhe ish zyrtarë policie të cilët akuzohen për 7 vepra penale mes të cilave grup i strukturuar kriminal, trafik droge, pastrim parash dhe krijimi i kushteve për kryerjen e një vrasje.
Gjithë aktiviteti i tyre kriminal u shfaq pas çkodimeve të komunikimeve në rrjetin ‘Sky’ ku të dhënat ranë në duar të autoriteteve dhe hodhën dritë mbi ngjarje të shkuara. Vetëm 4 prej anëtarëve të grupit u vendosën në pranga e të tjerë u shpallën në kërkim pasi ka dyshime se janë jashtë vendit.
Personazhi qendror i këtij grupi kriminal ishte Ervin Mata, i cili nuk mundi të arrestohej dhe u shpall në kërkim. Emri i tij u bë kryefjalë në media pas përplasjes me armë në një lokal në ish bllok me Ervis Martinajn në vitin 2018. Për shkak të kësaj hasmërie por edhe të konflikteve që buronin prej pazareve të drogës dyshohet se nga viti 2019-2021 ai dhe grupi i tij kriminal kishin planifikuar vrasje të kundërshtarëve.
Në prangat e policisë ra dhe shefi i krimeve të komisariatit nr. 6, Dedan Gjoni, i cili dyshohet se ka siguruar kushte që këto vrasje të ndodhin. Masë sigurie detyrim paraqitje u kërkua dhe për punonjësen e policisë Jonida Babameto pasi ka dyshime se kur ishte punonjëse e Interpol u ka dorëzuar të dhëna këtij grupi kriminal.
Në pranga ra dhe ish zëvendësdrejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani, ndërsa i biri që ka lidhje krushqie me Ervin Matën u shpall në kërkim. Ai dyshohet për pastrim të parave që vinin nga aktiviteti i shitjes së drogës. Nga zbërthimet e komunikimeve në ‘Sky’ u zbulua se këtij grupi i janë sekuestruar në operacione të ndryshme sasi te konsiderueshme kokainë dhe mariuanë.
Po ashtu janë identifikuar autorët e dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy personave në Shqipëri. Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të vendosura me paratë e drogës, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.
Gjatë operacionit policia ka ushtruar kontrolle në shtëpi e biznese ku ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona dhe armë zjarri të ndryshme.