Vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 14 Majit bashkia e Sarandë ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë mbi 1.1 milionë Euro për fshirjen, pastrimin e qytetit.

Adrian Gurma nuk është kandidat për një tjetër mandat nga krahu socialist, por do të ketë të drejtën e firmës mbi tenderin që është hapur sot dhe mbyllet në 31 Maj për të shpallur më pas edhe fituesin.

Kushdo që të fitojë në 14 Maj për dy javë nuk do të betohet kryetari i ri, sido që të shkojë procesi, prandaj firma i mbetet administratës së Gurmës.

Konkretisht tenderi është 131 855 000 Lekë, ose 1 184 255,43 Euro. Kjo shumë do të shkojë për 12 muaj për të pastruar qytetin dhe për të transportuar plehrat.

Më një sy të lirë paraprakisht preventivi duket i fryrë, por të vërtetat e këtij tenderi do të dalin në pah te procedura që do të ndiqet dhe te fituesi në fund që do përzgjidhet.

Socialistët që drejtojnë të gjitha bashkitë përveç Shkodrës kanë qenë shpesh herë në qendër të kritikave për fondet që kanë tenderuar për plehrat që kanë qenë miniera e tyre e arit.