“Shtetet e Bashkuara kanë thelluar angazhimin e tyre ndaj presidentit pothuajse autokratik të Serbisë dhe kanë riorientuar qëndrimin e tyre rajonal duke vënë në fokus prioritetet e politikës së jashtme të Beogradit.”

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Kukës, Pandeli Majko është i kursyer në premtime thuajse një javë larg zgjedhjeve lokale.

“Në Kukës, Has e Tropojë, halli është me “H” të madhe,” tha Majko për BIRN. “Kjo është arsyeja që ne i rezervojmë fjalët, sepse këtu nuk të besohet vetëm vota, por edhe halli,” tha ai, duke shtuar se qeveria kishte kryer investime të rëndësishme në Kukës.

Qarku i Kukësit është ndër më të varfrit në Shqipëri dhe vazhdon të eksportojë një numër të lartë emigrantësh, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas një anketimi të organizatës Swisscontact, popullsia e Kukësit ka rënë me 13% gjatë dekadës së fundit dhe gati 37% e banorëve të mbetur po planifikojnë gjithashtu të emigrojnë.

Partia Socialiste kandidon për herë të dytë në Kukës me Safet Gjicin, një ish-polic dhe biznesmen, ndërsa përballë tij garon Admir Sinamati nga koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili la profesionin e tij të mjekut për t’u angazhuar në politikën lokale. Në garë është edhe Abedin Oruçi i Partisë për “Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë”.

Këtë vit, përballja elektorale për Kukësin nisi nga Londra dhe Birmingami – ku gjenden një numër i konsiderueshëm banorësh të zonës si emigrantë. Të dy rivalët kryesorë në garë, Gjici dhe Sinamati janë takuar me komunitetin kuksian atje dhe të dy pretendojnë se kanë mbështetjen e tyre.

“Kam kontaktuar me emigrantët në Londër dhe Birmingam dhe ata kanë telefonuar të afërmit e tyre që votat të jenë për Safet Gjicin për punën që ka bërë,” thotë Gjici, ndërsa shton se do t’ua shpërblejë atyre me vendosjen e linjave direkte ajrore Kukës-Londër dhe Kukës-Birmingam.

Kandidati i opozitës, Admir Sinamati e sheh emigrimin masiv si ‘një psikozë” dhe “investim përtej politikës’, që sipas tij mund të luftohet duke vlerësuar meritokracinë. Ai e konsideron ndihmën britanike si një mundësi të artë për Kukësin, por mendon se nevojitet një klimë besimi që njerëzit të mund të kthehen në shtëpi.

“Mesazhi i emigrantëve në Britani ishte se Britania është vendi i mundësive falë një qeverisje normale dhe korrekte. Por kam vënë re se e ardhmja e çdo emigranti, koka e çdokujt është në vendlindje,” tha Sinamati për BIRN.

“Ata e mendojnë se një ditë do kthehen. Ky është një lajm i mirë dhe pozitiv, ndaj duhet një klimë besimi,” shtoi ai.

Ofertat e kandidatëve

Bashkia e Kukësit konsiderohet një bastion i demokratëve dhe është qeverisur nga socialistët vetëm tre herë gjatë tre dekadave të fundit, përfshi zgjedhjet pa garë të vitit 2019.

Por kryebashkiaku aktual, Safet Gjici, thotë se qeveria aktuale ka investuar shumë për Kukësin dhe e quan veten ‘personin e duhur për t’i çuar punët përpara”.

Gjici thotë se gjatë mandatit të tij të parë janë investuar 100 milionë euro në Kukës dhe premton dyfishim të fondit për katër vitet e ardhshme, nëse kuksianët i japin votën.

Ai thotë se qeveria i ka mbajtur premtimet për Kukësin me vënien në punë të aeroportit, investimet në spitalin rajonal si dhe ndërtimin e stadiumit të ri, për të cilin thotë se kuksianët as që e kishin ëndërruar.

Gjici flet gjithashtu për një kontratë me kryeministrin Rama për Kukësin dhe vazhdimin e këtyre punëve.

“Vullneti i kryeministrit Edi Rama është që të ndihmojë Kukësin dhe unë jam personi i duhur për t’i çuar punët përpara.  Rivali im nuk ka program, por as edhe ndonjë kontribut për Kukësin,” thotë ai.

Ndikimi i aeroportit të Kukësit në ekonominë lokale ka qenë i diskutueshëm, por Gjici thotë se hapja e tij është një premtim i mbajtur dhe ndër më kryesorët.

“Në një takim me disa persona në Kukës, edhe drejtuesi politik, zoti Majko, u bind më së fundmi kur një mësuese pensioniste i tha që na keni bërë një nder të madh me aeroportin…,” tha Gjici, duke shpjeguar se vajza e mësueses që jeton në Belgjikë udhëtonte më parë me 400 euro, ndërsa tani udhëton me 15 euro.

Admir Sinamati nga koalicioni Bashkë Fitojmë e sheh kandidimin e tij si detyrim për të ndihmuar njerëzit e vendlindjes, në një kohë kur sipas tij, Partia Demokratike kishte krijuar një vakuum të figurave publike me kontribut intelektual në qarkun e Kukësit.

Sinamati është i kursyer në premtime, por zgjedh të ofrojë mirëqeverisje.

“Oferta ime ndaj elektoratit është kryesisht krijimi i klimës së qetësisë në Kukës, lirisë së pergjithshme për t’u shprehur, gjykuar dhe kërkuar ndaj pushtetit,” tha ai për BIRN.

Sinamati thotë se programi i tij është i fokusuar te nxitja e punësimit, stimulimi i biznesit të vogël si dhe rritja e klimës së besimit për të tërhequr biznesin e madh në investime.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” shprehet me maturi kur bën fjalë për investimet në turizmin malor, ndërsa sheh si pengesë faktin se zona nuk ka traditë në turizëm dhe se jeta kulturore është zero.

“Investimet në turizmin malor, në rastin konkret në Shishtavec i pengon problemi i pronësisë që është guri i provës për investime. Pronat në zonat turistike nuk janë të regjistruara dhe nuk funksionon tregu i tokës,” thotë Sinamati.

Ai thotë se bashkia e drejtuar prej tij do të ndihmojë në restaurimin e kullave për t’i bërë atraktive për turistët. Përsa i përket bujqësisë, kandidati i “Bashkë Fitojmë” thotë: “Kukësi nuk është vend bujqësor për faktin se tokat janë përmbytur nga HEC-i i Fierzës. Orientimi i bujqësisë do jenë bimët aromatike e medicinale dhe kultura e patates në zonën e Shishtavecit”.

Në Kukës, PD-ja zyrtare kandidon vetëm me listën e këshilltarëve dhe ka një rivalitet mes së djathtës për Këshillin Bashkiak.

Ndërsa Sinamati e quan listën e “partisë së vulës” jashtë frymës së demokratëve, edhe kryetari i Partisë Demokratike zyrtare i përgjigjet me të njëjtën monedhë.

“Ne nuk kandidojnë në këto zgjedhje, ndaj nuk do ju bëjmë thirrje mbështetësve tanë që të votojnë ndonjë kandidat, pasi asnjë subjekt garues në këto zgjedhje nuk ka bërë thirrje që të mbështesin listën tonë,” tha Arif Rexhmati, kryetar i PD-së zyrtare.

“Thirrja ime është që të votohet në listën e këshilltarëve me numrin 9, që është Partia Demokratike e Shqipërisë,” shtoi ai.

Ndihma britanike

Prej tetorit të vitit të kaluar, organizata Swisscontact së bashku me partnerin britanik, TAG International, janë duke implementuar projektin “Perspektiva të Reja” për qarkun e Kukësit. Projekti ka si qëllim të frenojë ritmet e emigracionit të parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar, përmes mundësimit të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit.

Gjithashtu projekti zbaton fushata të komunikimit strategjik me qëllim informimin e popullsisë së qarkut për rreziqet dhe pasojat e emigracionit të paligjshëm, si dhe promovon oportunitetet për zhvillim dhe sipërmarrje në zonë.

I financuar nga Mbretëria e Bashkuar, projekti ka zhvilluar deri më tani disa sondazhe dhe kërkime për qarkun e Kukësit.

“Gjatë vitit 2022, 14,233 shqiptarë kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar, ku 30-40 për qind vlerësohet të jenë nga bashkitë Kukës dhe Has,” thotë Edval Zoto, menaxher i projektit.

Zoto thotë se gjatë javëve të fundit kanë zhvilluar tatime dhe kanë shkëmbyer mendime me kandidatët për zhvillimin ekonomik vendor.

“Të gjithë kandidatët, qoftë ata të forcave politike në pushtet, edhe ata në opozitë janë të vetëdijshëm për motivet që shtyjnë popullsinë e qarkut drejt migracionit, ku spikasin mundësitë e pakta të punësimit, të zhvillimit ekonomik si dhe mungesa e alternativave për arsimim e kualifikim,” tha Zoto.

Ai shtoi gjithashtu se kandidatët janë në dakordësi me projektin për të bashkëpunuar në vazhdimësi dhe nxitur zhvillimin ekonomik në zone, si faktori kryesor që do të frenonte migracionin e lartë.

Por Lavdrim Shehu, drejtues i një organizate lokale të quajtur “Qendra për Progres Rinor” i tha BIRN se edhe kjo fushatë nuk ka ofruar alternativa të qenësishme për banorët e Kukësit.

“Fokusi në të ardhmen duhet të përqendrohet te njerëzit, pasi këtu kandidatët janë vënë në garë duke premtuar investime,” tha Shehu.

“Duhet të ketë më pak arrogancë në qeverisje dhe shpërndarje të pushtetit. Të investohet aty ku ka përfitime bashkia dhe t’u kthehet njerëzve investimi në infrastrukturë dhe shërbime,” përfundoi ai./reporter.al/