Një hetim pasuror i nisur nga prokuroria e Posaçme SPAK, ka vënë në shenjestër të verifikimeve anëtarë të familjes Qoli në Durrës dhe Elbasan.

Hetimi ka marë spunto nga ligji “Antimafia”, pasi Festim Qoli, Petrit Qoli dhe Agron Qoli, janë vënë në hetim për akuzën e “Vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim të kryer në formën e “Grupit të Strukturuar Kriminal”.

“Ora News” mëson se oficerë të BKH-së dhe prokurorë të SPAK, po kontrollojnë çdo pasuri të mundshme që është rregjistruar në emër të familjes Qoli.

Sipas burimeve në verifikim pasuror janë vënë emrat si Ervis Qoli, Flora Qoli, Agron Qoli, Petrit Qoli, Festim Qoli dhe persona të tjerë të lidhur me këta shtetas.

Në verifikimet paraprake ka rezultuar se në emër të Festim Qolit, janë të rregjistruara disa pasuri pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës.

Hetimi ka provuar se në emër të Festim Qolit ekziston një kompleks biznesi në zonën e Spitallës në Durrës. Ky kompleks përbëhet nga lokal-restorant dhe hotel.

Gjithashtu në emër të Qolit është rregjistruar një biznes Bar-Kafe në Tiranë, me emrin “Bar Mozaik”, por aktualisht me aktivitet të pezulluar. Njëherësh SPAK, ka zbuluar se Petrit Qoli ka në pronësi një mjet të vogël lundrimi të markës “BRP-USA” të quajtur “Bore”.

Hetimi ka zbuluar një listë me pasuri të paluajtshme në Durrës, njësi tregtare dhe automjete që disponohen nga anëtarë të familjes Qoli. Ndërsa në emër të Festim Qolit, është dhe një pikë karburanti.

Ky biznes është rregjistruar me emrin “Classic-DR” dhe aktualisht zotërohet 100 për qind nga Festim Qoli. Por aktiviteti tregtar i kësaj kompanie rezulton i pezulluar.

Fillimisht biznesi është hapur në 20 qershor 2011 nga Festim Qoli e më pas kompania e hidrokarbureve në 8 mars 2012 i është shitur 51 për qind të aksioneve Fatmirë Habilit alias Dedaj.

Kjo e fundit është nëna e Ervis alias Muharrem Dedaj, i cili vetëm 3 muaj nga blerja e 51 për qind të aksioneve tek karburanti i Qolit, është vrarë në një atentat të rregjistruar në 5 qershor 2012 në Durrës.

Për këtë ngjarje është dyshuar dhe hetuar Festim Qoli, por për shkak të mungesës së provave nuk është bërë arrestimi i tij në atë periudhë kur ka ndodhur vrasja.Pikërisht ky karburant është kthyer në “mollë” sheri që solli vrasjen e Elvis Dedaj dhe nënës së tij Fatmirë Habili.

Festim Qoli akuzohet dhe kërkohet të arrestohet nga SPAK, si njeriu që organizoi dhe financoi vrasjen e nënës së Ervis Dedaj, Fatmirë Habilit, ngjarje kjo e ndodhur në 14 shtator 2013.

Por pas vdekjes së Habilit, aksionet tek biznesi i karburantit janë trashëguar në muajin dhjetor 2014 nga vajza e saj, Matilda Habili (Gjatja), e cila në dyvjetorin e vrasjes së vëllait të saj, Ervis Dedaj, në 6 qershor 2014, ka vendosur t’ia kthejë sërisht aksionet Festim Qolit, duke përpiluar një kontratë shitje me të.

Ka indicie dhe të dhëna të forta se kjo kontratë është firmosur në presion psikologjik. Por aktualisht SPAK, po kontrollon dhe pasuri të tjera me qëllim lokalizimin dhe sekuestrimin e tyre në ditët në vijim. Hetimi pasuror për familjen Qoli, ka filluar disa muaj më parë.

Tashmë, ku duhen dhe 12 ditë nga 1 vjetori i finalizimit të operacionit “Plumbi i Artë”, SPAK ndodhet në përfundim në procedurave hetimore për pjesën më të madhe të pandehurve të dosjes që aktualisht njihet si çëshja “Dumani”./OraNews