Gjatë takim me qytetarët e Sarandës, në kuadër të fushatë elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku prezantoi kandidatin socialist Olti Çaçin, kryeministri Edi Rama pati një mesazh për kandidatin e pavarur Gjergj Mërkuri, i cili më parë ka qenë kryetar dege i Partisë Socialiste në Sarandë.

Për shkak të debateve brenda në bazë, Mëkuri u fut në garë si kandidat i pavarur, ndërsa sot Rama i kërkoi që të tërhiqet nga fushata. Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos japin asnjë votë jashtë radhës së socialistëve, ndërsa Mërkurit i tha të ndalojë fushatën dhe pas 14 majit të ulen në tryezë e të bisedojmë për t’u bashkuar sërish

Pas kësaj deklarate ka ardhur një reagim edhe nga vetë kandidati për kreun e Bashkisë së Sarandës, Gjergji Mërkuri, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehet se nuk ka kthim pas. Sipas tij, sot vendosin qytetarët e jo partitë.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq, slogani ynë i kësaj fushate elektorale për Bashkinë e Sarandës “Vendosin qytetarët, jo partitë”, bëri të kuptojnë qartë të gjithë aktorët politikë fitoren tonë në 14 maj.

Ne jemi të bashkuar dhe me një ambicie të vetme, që në 14 maj të triumfojë qytetaria. Ne jemi futur në këtë garë që të fitojmë dhe ta çojmë Sarandën në një fazë tjetër zhvillimi, duke u bazuar në dashurinë që kemi për këtë qytet ku ushtrojmë aktivitetet tona jetësore të përditshme.

Ditën e djeshme Saranda u vizitua nga kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, duke dëgjuar fjalët e mira në adresën time dhe kërkesën e tij, ne si qytetarë i përgjigjemi me sloganin e tij të fushatës elektorale:

“NUK KA KTHIM MBRAPA, VETËM PËRPARA”.

Teksa na ndajnë dhe një javë nga data zgjedhjeve unë informoj të gjithë bashkëqytetarët e mi se fushata jonë vazhdon intensivisht dhe këtë javë.

Ne do të jemi kudo, do të flasim me çdo qytetar që e do Sarandën, të majtë dhe të djathtë qofshin.

Kjo nuk është një betejë politike, kjo është një betejë për Sarandën dhe qytetarët do të triumfojnë në 14 maj.

Ndaj këtë javë ftoj çdo mbështetës dhe simpatizantë, të flasë me këdo që mundet, të përcjellë mesazhin në çdo cep të qytetit, të unifikojmë forcat, pasi nga fitorja na ndan vetëm një javë. VENDOSIN QYTETARËT, JO PARTITË!