E keni vënë re që nëse e mbani shtëpinë mbyllur për disa kohë, befas shfaqen disa njolla myku në mure, tavan apo parket? Lagështira dhe mungesa e ajrimit të përditshëm janë dy prej arsyeve kryesore që çojnë në shfaqjen e mykut, i cili mund t’ju rrezikojë seriozisht shëndetin duke ju krijuar probleme me frymëmarrjen dhe alergjinë. Në artikullin e sotëm ju propozojme dy mënyra të shpejta dhe praktike që eliminojnë mykun nga muret e shtëpisë pa qenë nevoja të përdorni kimikate.

1.Uthull e bardhë rrushi

Mënyra më e thjeshtë dhe ekonomike për të hequr mykun nga muret e shtëpisë është uthulla e bardhë e rrushit. Ky produkt ka në përmbajtjen e tij substanca antibakteriale dhe antimykotike që e bëjnë më të lehtë eleminimin e njollave të mykut jo vetëm në mur, por edhe në parket. Merrni 2-3 gota uthull dhe shtojini në një shishe në formë sprucatori. Sprucojeni në mur dhe lëreni të veprojë për 10 minuta. Më pas fërkoni murin me ndihmën e një sfungjeri. Përsëriteni këtë veprim derisa njollat të zhduken plotësisht.

2.Ujë i oksigjenuar

Në përgjithësi uji i oksigjenuar përdoret për të dezinfektuar plagët, por ju mund ta përdorni edhe në pastrimin e shtëpisë pasi ky produkt ka veti antibakeriale dhe fuqi zbardhuese. Në një enë shtoni dy gota ujë të nxehtë dhe një gotë me ujë të oksigjenuar. Lagni murin me këtë përzierje dhe lëreni të veprojë për një orë. Më pas fërkojeni me ndihmën e një furçe dhëmbësh me qime relativisht të fortë ose sfungjer. Shpëlajeni me ujë dhe kontrolloni nëse pastrimi është bërë ashtu siç duhej. Në të vërtetë nuk keni nevojë ta kontrolloni pasi rezultati është mëse i dukshëm.