Pas konferencës së kryetarëve, deputetët e opozitës kanë bllokuar edhe zhvillimin e punimeve në Komisionin e Ekonomisë.

Edhe kjo mbledhje u bllokua si pasojë e aksionit opozitar, deputetët e PD kanë mundur të futen në sallë duke mos lejuar vijimin e mbledhjes normalisht. Socialistët janë larguar nga godina, dalja e së cilës tanimë është shumë pranë selisë së re të PD-së, drejtuar nga Lulzim Basha. Deputeti Flamur Noka ka përfituar duke ironizuar kështu largimin e tyre, se mund të shkojnë pranë selisë së Bashës.

“Ka byrek atje, ka dhe byrek Luli, ju jep dhe byrek shkoni atje!”, dëgjohet të thotë Noka, duke iu referuar një video të dy ditëve më parë kur kreu i PD-së, Lulzim Basha u shfaq duke ngrënë byrek.

Që prej seancës së javës së kaluar, deputetët e opozitës kanë nisur të protestojnë duke bllokuar të gjithë veprimtarinë e Kuvendit, për shkak se socialistët nuk pranuan të ngrinin Komisionet Hetimore.

Si fillim, ata kthyen përmbys karriget e sallës së Kuvendit, teksa para dy ditësh u përplasën edhe fizikisht me socialistët. Sot, që prej mëngjesit kanë bllokuar sallat e mbledhjeve në Kryesinë e Kuvendit.